Arbëri

Vitia nuk përgjigjet në lidhje me thirrjet për dorëheqje

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve se kur do të jap dorëheqje nga posti, pasi ai është kandiduar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Nga shoqëritë civile është bërë thirrje për dorëheqje të ministrit Vitia, duke thënë se ai nuk mund të përqëndrohet plotësisht në punën e tij, pas kandidimit për kryetar të Prishtinës. Dorëheqjen ministrit Vitia ia ka kërkuar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Sa i përket nëse masat që i janë propozuar Qeverisë janë të buta, ministri Vitia ka thënë se masat janë rekomanduar nga ekspertët dhe vlerësohen adekuate. Ai ka folur edhe për furnizimin e spitaleve me barna, përfshirë ilaçin remdesevir.

“Sonte jemi në situatë ku e gjithë MSH-ja pa përjashtim, përfshirë edhe administratën po punojmë vazhdimisht. Kemi pasur takime edhe me grupe të interesit, me përfaqësues të shoqatës së gastronomëve, kryetarë të komunave dhe të gjithë së bashku pavarësisht dallimeve që mund të kemi dhe problemeve, të gjithë jemi bashkuar të bëjmë më të mirën për qytetarët që kjo valë e re me virusin Delta të përfundojë sa më mirë e sa më qetë e me sa më pak pasoja për qytetarët tanë. Mund të bëhet kjo vetëm me vaksinim masiv. Jam i lumtur që interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar është shumë i madh dhe duke u vaksinuar e respektuar masat do të dalim sa më mirë nga kjo situatë. Natyrisht kur vendosen masat nuk janë masa që vendosen në mënyrë arbitrare. Janë masa që pas diskutimeve me orë të tëra me ekspertë të fushës, e me ministri të linjave vendosëm, gjejmë masa të domosdoshme për të ruajtur shëndetin publik, por edhe ekonominë e vendit. {farëdo masa që marrim janë mirë të analizuar dhe të evidentuara me fakte që vijnë nga ekspertët tanë”, ka thënë Vitia, që ka shtuar se masat që pret të miratohen nga Qeveria do të zbatohen e ka biseduar me institucionet përkatëse për këtë. “Ka disa muaj që kemi pasur situatë të gjatë. Gjatë kësaj kohe ekipet tona që janë shumë grupe punuese kanë punuar në shumë drejtime në MSH, e para ka qenë në hartimin e udhërrëfyesit e protokolleve klinike që derivojnë nga ajo. Jam i lumtur të them se kjo ka përfunduar javën e kaluar, fundin e javës së kaluar. Postimi besoj se bëhet nesër ose pasnesër, e pas kësaj Qeveria e Kosovës do të sigurojë gjitha materialet e domosdoshme që rrjedhin nga protokollet, përfshirë edhe remdesivirin”.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, në anën tjetër ka thënë se institucioni ku gjendet ai e ka furnizuar Ministrinë e Shëndetësisë në baza javore me projeksione e në baza ditore me informata. Thotë se është ndër institutet e rralla që bën projeksione me frekuencë aq të madhe.

Ai thotë se projeksionet flasin për shifra të larta dhe po zbërthehen në masa nga ministria e Qeveria. Ai ka thënë se nëse zbatohen masat nga të gjithë atëherë do të përballohet mirë vala e re e pandemisë.