Arbëri

Bashkatdhetarët investojnë 9 milionë euro në bono të Thesarit

Më pak se një ditë i ka mbetur kohë diasporës të investojë në bonot e Thesarit të shtetit.

Që nga korriku, kur është hapur ankandi, shuma e investimeve ka arritur afër 9 milionë euro.

Ministria e Financave dhe Transfereve ka njoftuar se deri më tani kanë pranuar mbi 90 kërkesa për investim.

“Interesimi është i vazhdueshëm për të investuar, ndërsa deri në fillimin e ditës së sotme janë mbi 90 kërkesa të realizuara për investim dhe shuma ka arritur afër 9 milionë euro, shumë e cila lëviz çdo orë. Instrumenti më i preferuar nga investitorët është Bono e Diasporës 5-vjeçare, e cila njëherësh ka shumën dominuese të investimit (afër 90%)”, thuhet nga MF-ja.

Nga Ministria bëjnë me dije se kuponi i parë i kthimit bëhet më 20 shkurt të vitit 2022 dhe i dyti më 20 gusht të po të njëjtit vit.

Yll Blakaj, kryetar i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Austri, ka thënë se do të duhej një përgatitje më e madhe.

“Është mundësi e mirë, megjithëse mendoj se ka qenë dashur të bëhej një parapërgatitje më e mirë me shoqata të bizneseve dhe aktorë të tjerë që veprojnë në diasporë”, tha Blakaj.

Të njëjtin mendim ndan edhe Sutrime Dervisholli, njohëse e ekonomisë, por që, sipas saj, investimi në bono është një mundësi e mirë për diasporën.

“Ankandi për blerjen e bonove është hapur më 21 korrik dhe përfundon më 18 gusht. Personat fizikë e bizneset mund të investojnë në vlerën minimale prej 10 mijë eurove deri në atë maksimale 500 mijë euro. Derisa, maturimi 3-vjeçar ka normë vjetore 1.20%, ndërsa afatizimi 5-vjeçar ka normë vjetore 2.20% e fitimi nga ky investim është i liruar nga tatimi”, tha Dervisholli.