Arbëri

Haradinaj: Kurti premton parajsën, popullit po i jep zhgënjimin

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti mburravec, derisa ka kritikuar se nuk është kujdesur për situatën pandemike në vend.

Përmes Facebookut, Haradinaj ka thënë se Kurti “premton parajsën e po i jep popullit zhgënjimin”, dhe se duke premtuar bashkimin, ka shkaktuar ndarjen.

“Do të ishe marrë me përmirësimin e raporteve me SHBA dhe Gjermani dhe jo si deri më tani duke i dëmtuar skajshëm! Kush je ti në të vërtetë? Ti që premton parajsën e po i jep popullit zhgënjimin. Ti që ke premtu bashkimin, e po e marrim ndarjen. Ti që ke premtuar pavarësim, e po marrim degradim”, thuhet në status.

Ish-kryeministri Haradinaj ia ka përmendur Kurtit edhe të hyrat e fundit, duke thënë se është shqetësuese rritja e të hyrave përmes importit, “veçanërisht importin nga Serbia, që po përjeton ngritjen më të madhe ndonjëherë”

“Po, është rritur qarkullimi, pasi që e ke krahasuar me vitin 2020, vit i pandemisë, vit i mbylljes totale të ekonomisë dhe aktivitetit biznesor! Po, janë rritur edhe të hyrat buxhetore, sepse i ke krahasuar me vitin më të jashtëzakonshëm që historia njerëzore njeh”, ka shkruar ai.

Kreu i Qeverisë ka thënë të shtunën se në 6 muajt e para të qeverisjes ka pasur rritje të të hyrave prej 33 për qind.