Arbëri

Beteja politike zhvendoset në nivel lokal

Descriptive Text

Me afrimin e datës kur nis fushata parazgjedhore, subjektet politike kanë rritur dozën e akuzave dhe përplasjeve në distancë. Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se ditët në vijim ato do të shpeshtohen, por jo në masën sa të cenohet procesi zgjedhor. Ndërkohë, shqetësuese po konsiderohen vonesat në prezantimin e kandidatëve për kryetarë, veçmas nga partia në pushtet

Beteja politike mes partive është zhvendosur në nivel lokal, megjithëse zyrtarisht nuk ka nisur ende fushata parazgjedhore. Nuk kanë munguar as akuzat e përplasjet në distancë dhe nëpër rrjete sociale.

Së fundi, zyrtarë të partisë në pushtet janë ankuar për fushata linçuese në disa nivele, duke mos specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.

“Shtabi i çarshisë duket i përhumbur nga paniku dhe po vazhdon fushatën e ulët në disa nivele. Disa që flasin në nivel kinse parimor dhe disa që askush nuk i merr seriozisht për aq kohë sa është ashtu i lëshojnë të flasin gjithçka”, ka shkruar Arlind Manxhuka nga Vetëvendosje.

Sipas tij, janë dy faktorë pse kjo po ndodh.

“1. Teksa kanë shitur shpirtin, tash duhet të shesin gjithçka siç ua kërkojnë pronarët e tyre;

2. Ato çka këta shesin s’i blejnë ata për të cilën paguhen. Populli nuk e ha më dot mallin e tyre.

gjendur në këtë sandviç, shtabi i çarshisë gjendet në një siklet të madh, të punojë e shesë, sepse bishtin e ka të zënë me derë në rrethana ku askush nuk ua blen mallin. Mirëpo, duhet mirëkuptuar klubin e stërvjetruar politik se çfarë lloj paçavuresh i kanë mbetur si artileri e fundit”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Xhavit Haliti, arrestimet e fundit të zyrtarëve komunalë të Pejës i ka ndërlidhur me dyshimet se mund të kenë prapavijë politike para zgjedhjeve lokale.

“Zakonisht nuk përzihem në çështje të drejtësisë. Por, uroj që arrestimet e fundit të mos kenë prapavijë politike të instrumentalizuar para zgjedhjeve lokale. Përndryshe, jam ithtar e mbështetës i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Motoja “askush përmbi ligjin” dhe kontrolli ligjor publik e politik ndaj të gjitha institucioneve për të ndërtuar shtetin e së drejtës duhet të jetë obligim i përgjithshëm”, ka shkruar Haliti.

“Të gjithë ata që përpiqen të barrikadohen me arsyetimin se përgjegjësia e tyre është brenda klanit, e në kundërshtim me praktikën ligjore evropiane, duhet shkarkuar sipas ligjeve në fuqi, e kur ligjet nuk parashikojnë mënyrën dhe vendin e llogaridhënies për të gjithë, duhet amandamentuar ligjet”.

Përfaqësues të shoqërisë civile presin shtim të përplasjeve me afrimin e zgjedhjeve, por jo në masën sa ta cenojnë procesin zgjedhor.

“Kosova ka dëshmuar deri më tani se di të organizojë zgjedhje të lira dhe të drejta dhe përgjithësisht partitë politike në këtë drejtim e kanë dhënë testin pozitiv për shkak se kanë arritur të menaxhojnë përgjithësisht mirë fushatat zgjedhore. Nisur nga kjo unë pres që edhe kjo fushatë zgjedhore, përkatësisht edhe zgjedhjet e tanishme të tetorit, nuk do të manifestohen me ndonjë tension ose me ndonjë eskalim, por do të ketë një proces normal dhje brenda dimensioneve ligjore, por edhe teknike e operative”, ka thënë Bekim Salihu nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP).

Salihu pret garë të fortë për Prishtinën, Skenderajn, Mitrovicën e Gjakovën.

Edhe Qëndrim Arifi nga Iniciativa për Progres (INPO) thotë se zhvillimet më dramatike do të jenë në komunat e mëdha.

“Sigurisht se me ofrimin e datës kur do të mbahen zgjedhjet fillon edhe, të them kështu kushtimisht, situata të jetë më dramatike në aspekt pozitiv, në aspekt të garës, mes subjekteve dhe kandidatëve. Sa i përket asaj se ku presim që gara të jetë më interesante dhe e nxehtë, sigurisht se presim të jetë në komunat më të mëdha sepse aty janë edhe interesat e partive politike dhe atë më theks të veçantë në kryeqytet, sepse ekziston një epitet që kush e fiton kryeqytetin ka një lloj primati edhe në nivel të Republikës së Kosovës, mirëpo pa dashur ta largojë theksin edhe nga komunat e tjera”, ka thënë ai.

Salihu dhe Arifi thonë se partitë, veçmas ajo që ka pushtetin, janë vonuar me prezantimin e kandidaturave.

“Kjo po ndodh veçmas me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe unë besoj se janë dy arsye në këtë drejtim. Arsyeja e parë është teknike, arsyeja e dytë politike. Teknike lidhet për faktin që partitë politike po aplikojnë metodën e sondazheve që të vërtetojnë se cili apo cila kandidate potenciale ka avantazh në terren, rrjedhimisht prej kësaj po vendoset pastaj se kush t’i prijë garës. Dhe arsyeja politike lidhet me faktin që brenda subjekteve politike po ka paqartësi dhe pakënaqësi në lidhje me disa emra të cilët po përmenden për t’u emëruar nëpër komuna dhe kjo ka shkaktuar mosemërimet e deritanishme të kandidatëve ose të gjithë kandidatëve për ta udhëhequr garën nëpër komuna”, ka potencuar Salihu.

“Natyra e punëve dhe problematikave dhe mënyra struktura e qeverisjes lokale kërkojnë një angazhim parazgjedhor shumë më të hershëm, sepse kërkohet një takim i qytetarëve derë më derë dhe lagje me lagje, që të shikohen tamam problemet e qytetarëve. Kemi parë shumë premtime që janë ambicioze, mirëpo këta kandidatë harrojnë se qytetarët përballen me probleme që janë shumë më bazike”, ka thënë Arifi (INPO).

Në garën për kryeqytetin kandidatët i kanë prezantuar Lidhja Demokratike, Partia Demokratike e Aleanca, por jo edhe Lëvizja Vetëvendosje.

PDK-ja të premten ka zyrtarizuar edhe kandidaturat për kryetarë të Rahovecit dhe Obiliqit në zgjedhjet e 17 tetorit. Bejtullah Deliu është kandidat i kësaj partie për kryetar në Rahovec. Ndonëse ishin në kalkulim ish-kryetari i komunës, Qazim Qesku, e ish-ambasadori Edon Cana, ka qenë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai që ka njoftuar të premten se kandidati do të jetë Bejtullah Deliu. Kandidati i konfirmuar ka qenë edhe kandidat për deputet, por nuk ia kishte dalë të hynte në Kuvend. Ai aktualisht është drejtor i PTK-së në Rahovec. Ndërkaq në Obiliq PDK-ja do të garojë me Hanefi Musliun.

Nga Lëvizja Vetëvendosje Visar Korenica besohet se 99.9 për qind do të jetë kandidati i kësaj partie për kryetar të Komunës së Rahovecit në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Një ditë më herët, Vetëvendosje ka zyrtarizuar kandidaturën e Mimoza Kusari-Lilës për kryetare të Gjakovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturat e saj për kryetarë të tetë komunave në zgjedhjet e 17 tetorit.

Sibel Halimi do të jetë të jetë kandidate për kryetare të Komunës së Ferizajt, Armend Agolli për Mitrovicë, Teki Shala për Gjakovë, Mehmet Krasniqi për Obiliq, Bedri Zeqiri për Shtime, Anduena Gllareva për Drenas, Shkëlqim Jakupi për Kaçanik dhe Bajrush Ymeri për Novobërdë.

Në njoftimin për media, LDK-ja ka thënë se “do të dalë parti fituese” në zgjedhjet e 17 tetorit.

Më herët kjo parti kishte zyrtarizuar edhe kandidaturat tjera.

Lutfi Haziri u kandidua për Gjilan, Përparim Rama për Prishtinë, Anton Quni për Prizren, Ilir Ferati për Istog, Hyrie Dobrunaj për Deçan, Burim Krasniqi për Rahovec, Besim Hoti për Klinë, Bajrush Hoti për Malishevë, Bexhet Xheladini për Dragash, Jeton Biqkaj për Kamenicë, Ruzhdi Shehu për Junik, Ekrem Hyseni për Podujevë, Gazmend Muhaxheri për Pejë, Ardian Shala për Suharekë, Imri Ahmeti për Lipjan, Burim Berisha për Fushë-Kosovë, Sokol Haliti për Viti dhe Xhafer Tahiri për Vushtrri.

Ndërkohë, Komisioni Qendror Zgjedhor ka konfirmuar se deri tash asnjëra nga partitë e mëdha – LVV, PDK, LDK dhe AAK – nuk ka dorëzuar listën me emrat e kandidatëve.

“Deri më tani kemi pranuar aplikimet nga 19 subjekte politike, prej tyre 2 parti politike, 7 iniciativa qytetare dhe 10 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 125 kandidatë për kuvende komunale dhe 11 kandidatë për kryetarë komune”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Afati i fundit për aplikim është 16 gushti, ora 16:00.

BOX

T: Subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim

PARTITË POLITIKE

Lëvizja Qytetare Vatra ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kryetar komune dhe për kuvend komunal në Gjilan;

Partia Demokratike e Unitetit ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kryetar komune dhe për kuvend komunal në Pejë.

INICIATIVAT QYTETARE

Lista Guxo ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kuvend komunal në Ferizaj;

Ne Mundemi ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kuvend komunal në Ferizaj;

Bashkë për Istogun ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kryetar komune dhe për kuvend komunal në Istog;

Iniciativa Qytetare për Obiliq ka aplikuar për certifikim për kuvend komunal dhe kryetar të komunës në Obiliq;

Bashkë për Shtërpcën ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kuvend komunal dhe kryetar të komunës në Shtërpcë;

Iniciativa Qytetare për Skenderaj ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kryetar komune dhe për kuvend komunal;

Iniciativa Erdem ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kryetar komune dhe për kuvend komunal në Mamushë.

KANDIDATËT E PAVARUR

Kastriot Bushi ka aplikuar për certifikim për kryetar komune në Kaçanik;

Agim Gjeli ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kuvendin komunal në Fushë-Kosovë;

Hajrush Stublla ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kuvendin komunal në Lipjan;

Radosh Repanoviq ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kuvendin komunal në Istog;

Bojan Saiçiq ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kuvendin komunal në Klinë;

Dragan Repanović ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kuvendin komunal në Istog;

Isa Elezaj ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kryetar komune në Deçan;

Xhafer Bytyqi ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kryetar komune në Rahovec;

Selajdin Bytyçi ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kryetar komune dhe kuvend komunal në Malishevë;

Hamdi Malaj ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për kuvend komunal në Skenderaj.