Arbëri

Rohde: Zbatimi i vendimit të Kushtetueses për tokën rreth Manastirit të Deçanit është vonuar

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, i ka dhënë mbështetje të plotë deklaratës së shefit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, që bëri lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dhënien e mbi 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit.

“Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është vonuar shumë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Davenport në Interaktiv të KOHËS ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet, dhe se e kupton se situata rreth Manastirit është e ndërlikuar e se interesat e Komunës po ashtu duhet të merren parasysh.

“OSBE-ja ka mandat që shtrihet përgjatë sferës publike, të sigurisë dhe demokratizimit, por gjithashtu shumë thelbësor edhe sundimi i ligjit. Dhe nëse ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi sipas pikëpamjes sonë që ai rregull duhet të zbatohet. Natyrisht, unë e njoh, ne e njohim situatën rreth Manastirit dhe Komunës që është e ndërlikuar. Është gjithashtu me rëndësi që interesat e Komunës dhe komunitetit lokal të merren parasysh. Por në fund të ditës vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen”, ka thënë Davenport në Interaktiv.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pesë vjet më parë i njohu Manastirit të Deçanit pronat përreth tij, të cilat kontestohen nga Komuna e Deçanit. Kjo e fundit, nuk i ka regjistruar në kadastër këto prona si prona të Kishës.