Arbëri

Kërkohen masa për parandalimin e rritjes së çmimeve të konsumit

Descriptive Text

Çmimet e konsumit kanë shënuar një rritje për 3.5 për qind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Kjo ka ngritur shqetësim te qytetarët dhe u adresua në seancën e Kuvendit të Kosovës. Ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari, iu kërkua që të marrë masa rreth rritjes së çmimeve.

Produktet ushqimore kanë shënuar një rritje muajve të fundit, duke varfëruar shportën e konsumatorëve. Gjatë muajit korrik ato janë rritur për 3.5 për qind më shumë sesa në kohën kur vendi përballej me pandeminë dhe kishte masa kufizuese.

Rritje të çmimeve të konsumit për 0.8 për qind ka krahasuar edhe me muajin qershor të po këtij viti.

Sipas ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kjo ka ardhur si pasojë e çekuilibrimit në tregun global.

Ka thënë se çmimi i produkteve të konsumit diktohet nga Berza ndërkombëtare dhe çdo lëvizje reflektohet edhe në tregun e Kosovës.

“Ne të gjithë e dimë që Kosova ka një varësi të jashtëzakonshme në importe, sidomos në importe të produkteve që janë të rëndësishme në konsumin e ekonomive familjare që përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të importeve totale të mallrave të konsumit për të cilat kemi një deficit tregtar mjaftë të lartë dhe të vazhdueshëm prej 406 milionë euro vetëm për 6 muajt e parë të këtij viti”, ka thënë ajo.

Deputeti i partisë së saj, Driton Hyseni ka pyetur atë se a planifikon masë shtesë kundrejt rritjes së çmimeve dhe produkteve të importuar nga vendet e tjera.

“Mendoj që kjo ka goditur një pjesë të familjeve tona, por në masë të madhe ato familje që janë shumë të varura nga asistenca sociale që marrin në vendin tonë”, është shprehur ai.

Por, ministrja Hajdari ka thënë se ka një kornizë ligjore që e mbron tregun, por që nuk parasheh ndërhyrje në çmime.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave për muajin korrik tregojnë se ka pasur një rritje të çmimeve te buka dhe drithërat, qumështi, vezët, sheqeri, kafeja, lëngjet, pijet alkoolike, karburantet, çmimet e biletave të transportit ajror, pushimet e organizuara turistike, si dhe shërbimet hoteliere.

Ndërkohë ka pasur një rënie të çmimeve te perimet.

Gjatë periudhës prill-qershor ka pasur rritje të çmimeve të produkteve bujqësore. Rritja sipas ASK-së krahasuar me 2020 është për 3.4 për qind.