Arbëri

OSBE-ja e gatshme të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut

“Nuk e dimë se çfarë marrëveshjesh do të arrihen më tej, por gjithashtu ne jemi të gatshëm nëse na kërkohet mbështetje për zbatimin e marrëveshjeve ”, ka thënë ambasadori Davenport

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është i gatshëm të ofrojë mbështetje për zbatimin e marrëveshjeve që mund të dalin nga dialogu i Brukselit, ka thënë në një intervistë për KOHËN shefi i këtij misioni, abasadori Michael Davenport. Si histori suksesi në këtë fushë ka përmendur zbatimin e marrëveshjes për drejtësi në komunat veriore, mbajtjen e zgjedhjeve lokale si dhe integrimin e policisë. Por Davenport ka refuzuar të komentojë përkitazi me ankesat e fundit të Qeverisë së Kosovës në Bruksel se shumë prej marrëveshjeve nuk po zbatohen për shkak të pengesave nga Serbia.

“Nuk mendoj se më takon mua të them se cilat duhet të jenë prioritetet e dialogut. Kjo me të vërtetë u takon palëve t’i diskutojnë dhe të pajtohen mes vete, siç e thashë me lehtësimin e Bashkimit Evropian, zotit Lajçak dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Davenport.

Ish-Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd ka folur edhe për rëndësinë e fuqizimit të mediave dhe angazhimin për luftimin e lajmeve të rreme, nëpërmjet projekteve edukative në shkolla.

Sa u përket të drejtave të komuniteteve joshumicë, ka thënë se ekzistojnë pengesa në zbatimin e legjislacionit teksa e konsideron të rëndësishëm edhe implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kalimin të mbi 20 hektarëve Manastirit të Deçanit.

Liria e mediave dhe luftimi i lajmeve të rreme

Një prej fushave që e mbulon OSBE-ja në Kosovë është liria e mediave. Në kohën kur as Kosova sikurse vendet e tjera nuk është imune nga përhapja e lajmeve të rreme, si e vlerësoni situatën e mediave këtu?

Davenport: Faleminderit për pyetjen dhe faleminderit për ftesën nga “Koha Ditore”! Është një nder i madh të jem me ju. Mendoj se Kosova ka bërë një rrugë të gjatë kur vjen në konsideratë liria e mediave gjatë dy dekadave të kaluara. Është shënuar përparim i madh dhe mendoj se ju duhet të jeni krenarë për pluralizmin që keni arritur në sektorin e medias. Gjatë periudhave të ndryshme natyrisht mjedisi medial ka ndryshuar, tani përtej atyre që kemi njohur në të kaluarën. Ne e diskutuam me drejtuesit e “Kohës Ditore” se më nuk është duke u botuar gazeta, për shembull, e cila në të kaluarën ka qenë shumë e mirënjohur. Kjo është shenjë se si gjërat kanë ndryshuar. Folët për lajmet e rreme. Ky problem është gjithkund. Është problem në Kosovë po ashtu. Dhe mendoj se një nga gjërat me rëndësi është përqendrimi në zhvillimin e mediave. Me fjalë të tjera, për t’i bërë qytetarët më të vetëdijshëm se si të bëhet dallimi ndërmjet lajmit të rremë dhe atij që është lajm i vërtetë. Kjo është diçka për të cilën jam i kënaqur ta them se misioni i OSBE-së fokusohet goxha shumë. Është aktuale të them se për momentin një nga partnerët kryesorë në këtë iniciativë ka qenë “Dokufesti”, gjithashtu edhe Universiteti i Prishtinës. Ajo që po përpiqemi të bëjmë është shtrirja nëpër shkolla, sepse qytetarët e rinj janë ndoshta në të njëjtën kohë të gatshëm të absorbojnë se çka do të thotë zhvillimi medial, por gjithashtu njerëzit më të vullnetshëm se shumë njerëz të tjerë për të luftuar lajmet e rreme. Në të njëjtën kohë, natyrisht duhet t’i bëjmë njerëzit më të vëmendshëm se çka duhet bërë kur identifikojnë lajmet e rreme, përfshirë gjithashtu rolin e trupave, si Këshilli i Mediave dhe Komisioni i Pavarur për Media.

A keni ndonjë mënyrë tjetër për t’i ndihmuar mediat në Kosovë?

Davenport: Siç e thashë, kjo është diçka për të cilën OSBE-ja ka të kaluar krenare për ndihmë në themelimin e kornizës të cilën e keni tani. Dhe ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me Këshillin e Mediave të Shkruara dhe KPM-në. Siç e thashë, fokusi ynë për momentin është veçanërisht në këtë fushë, pra në rritjen e shkrim-leximit mediatik nëpërmjet programeve edukative. Ne jemi të shtrirë te shkollat, 48 shkolla të mesme në tërë Kosovën përmes programit tonë me “Dokufestin” dhe Universitetin e Prishtinës.

Problemet në zbatimin e ligjeve për komunitetet

Një çështje që shpesh ngrihet është gjendja e komuniteteve pakicë në Kosovë. Cilat janë sfidat/problemet të cilat OSBE-ja i ka identifikuar deri më tani në këtë drejtim?

Davenport: Mirë, ne kemi parë që të drejtat e komuniteteve joshumicë janë përqendruar kryesisht në mandatet e tyre. Me kënaqësi e them se Kosova ka kornizë ligjore të avancuar sa i përket mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë. Ne sapo kemi lansuar raportin e vlerësimit sa u përket të drejtave të komuniteteve, i cili mat përparimin e Kosovës në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve përballë standardeve dhe rekomandimeve të vendosura nga Këshilli i Evropës. Dhe shumë përparim është shënuar në këtë fushë duke përfshirë standardet ndërkombëtare në legjislacionin e Kosovës. Por ndonjëherë ka probleme në zbatim të legjislacionit në fusha si për shembull: e drejta e përdorimit të gjuhëve të komuniteteve joshumicë, qasje në edukim të duhur në gjuhët e komuniteteve. Kjo është fusha ku përparim ka pasur, por mendoj se Misioni i OSBE-së duke bashkëpunuar me partnerët ka rol në nxitjen e zbatimit. Isha i kënaqur të shihja së fundi se Programi Ballkanologjik për trajnimin e gjeneratave të ardhshme të interpretuesve dhe përkthyesve është akredituar në Universitetin e Prishtinës. Mendoj se ky është një hap i madh përpara.

A mendoni që korniza kushtetuese dhe ligjore e Kosovës duhet të shërbejë si model edhe për shtetet e tjera në rajon, si Serbia?

Davenport: Mendoj se çdo shtet duhet ta zhvillojë kornizën e vet ligjore, e cila u përgjigjet nevojave të veta. Dhe çdo vend duhet të zhvillojë kornizë ligjore me kalimin e kohës. Ajo duhet të zhvillohet dhe as dy vende nuk janë njësoj në këtë aspekt. Për shembull, ne sapo shënuam këtë javë 20-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën është bërë përparim i madh në Maqedoninë e Veriut. Por jo domosdo do të thosha se gjërat mund të përsëriten nga një vend te tjetri. Por sigurisht me shumë respekt, Kosova duke punuar me partnerët ndërkombëtarë ka miratuar kornizë ligjore, e cila duhet të qëndrojë në provën e kohës me kusht që ato të zbatohen siç duhet.

Kur jemi te sundimi i ligjit, ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese që i jep të drejtë Manastirit të Deçanit për pronësinë e rreth 20 hektarëve tokë, por që nuk është zbatuar ende. Si e komentoni këtë?

Davenport: OSBE-ja ka mandat që shtrihet përgjatë sferës publike, të sigurisë dhe demokratizimit, por gjithashtu shumë thelbësor edhe sundimi i ligjit. Dhe nëse ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi sipas pikëpamjes sonë që ai rregull duhet të zbatohet. Natyrisht, unë e njoh, ne e njohim situatën rreth Manastirit dhe Komunës që është e ndërlikuar. Është gjithashtu me rëndësi që interesat e Komunës dhe komunitetit lokal të merren parasysh. Por në fund të ditës vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen.

A keni pasur takime me palët e përfshira për t’i kuptuar arsyet se pse nuk po zbatohet ai vendim?

Davenport: Mirë, Misioni vazhdimisht ka argumentuar për implementimin e tij. Nuk mendoj se ka arsye të mirë për moszbatimin e rregullit të Gjykatës Kushtetuese. Por, siç e thashë, ndërlikueshmëria e situatës në Deçan dhe përreth Manastiri duhet të merren parasysh plotësisht. Misioni i OSBE-së është pjesë e Këshillit për implementim dhe monitorim dhe ka vendime po ashtu nga ai trup që kontribuon për gjetjen e një zgjidhjeje këtu.

Integriteti i gjyqësorit

Përmendët rëndësinë e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë. Në kuadër të reformave në drejtësi, Qeveria e Kosovës është në proces të hartimit të bazës ligjore për veting. Si i keni parë angazhimet në këtë drejtim?

Davenport: Mirë, mendoj se integriteti i gjyqësorit dhe personelit të gjyqësorit janë qartësisht thelbësore për besueshmërinë, për vetë profesionistët e gjyqësorit dhe institucionin. Kështu që është e drejtë të ndërmerren hapa për ta dëshmuar këtë, për t’u siguruar se gjyqësori është plotësisht mbi bordin. Kështu që ajo që po kërkojmë dhe që mendoj se do të ishte e vlefshme është ekzistimi i mekanizmave që sigurojnë integritetin e gjyqësorit për t’i përdorur benefitet deri në maksimum. Këtë javë pata takime me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, me drejtuesin e ri të Këshillit, zotin Zogaj. Mendoj se Këshilli Gjyqësor ka rol të rëndësishëm për t’u siguruar se ka performancë të duhur të menaxhmentit në gjyqësor, ka performancë të duhur në proceset disiplinore të gjyqësorit. Është një mënyrë e re e riforcimit të gjithë asaj që duhet zhvilluar. Jam i lumtur ta them se Misioni i OSBE-së në Kosovë është duke punuar ngushtë me Qeverinë dhe veçanërisht Ministrinë e Drejtësisë për të këshilluar rreth standardeve ndërkombëtare në këtë fushë, të cilat mendoj se mund të jenë të dobishme për çdo hap që merret përpara.

Sa mundet sundimi i ligjit të ndihmojë në përmirësimin e situatës me të drejtat e njeriut dhe të drejtat minoritare?

Davenport: Sundimi i ligjit është thelbësor për shtetet demokratike. Dhe themel i çdo shteti demokratik është respektimi i të drejtave të komuniteteve joshumicë, gjithashtu të drejtat e grave dhe grupeve të tjera të cenueshme, përfshirë fëmijët për shembull. Kam qenë i lumtur me përkushtimin që gjeta për këtë periudhë të shkurtër sa jam në Kosovë, shumë përkushtim nga të gjitha nivelet - prej presidentes, kryeministrit deri te niveli komunal për ta trajtuar në mënyrë efektive një problem shumë të madh të dhunës në familje. Si mision jemi të angazhuar me koordinatorët ndërkombëtarë për ta luftuar dhunën në familje. Kosova ka një përparësi të madhe me përfshirjen e konventave të Këshillit të Evropës në legjislacionin e brendshëm - në luftën kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Misioni është i angazhuar ngushtë me Qeverinë në zbatimin e atij legjislacioni.

“Propozimet në dialog duhet t’i bëjnë palët”

Një çështja tjetër që do të doja ta ngrija me ju është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Të dyja palët iu rikthyen dialogut me dy takime të nivelit të lartë në Bruksel, por pa ndonjë rezultat. Si e shihni këtë proces?

Davenport: Unë e mirëprita shumë faktin se të dyja palët u kthyen në tryezën e negociatave. Kjo është e mirëseardhur. U takon palëve që të vendosin bashkë me lehtësuesit e dialogut - Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara se ku duhet të shkojë ky proces. OSBE-ja dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë kanë histori të ofrimit të mbështetjes në dialog, sigurimit të mbështetjes në zbatimin e asaj çka është arritur në dialog. Kjo na është kërkuar. Për shembull, sa u përket zgjedhjeve apo integrimit të gjyqësorit dhe policisë po ashtu. Kështu që ne jemi të gatshëm të sigurojmë mbështetje në të ardhmen po ashtu. Por kjo do të varet se si dialogu aktual do të shtyhet përpara dhe cili do të jetë epilogu.

Çka konsideroni se është më parësore për t’u adresuar dhe sa mendon që ka gjasa për sukses në dialog?

Davenport: Nuk mendoj se më takon mua të them se cilat duhet të jenë prioritetet e dialogut. Kjo me të vërtetë u takon palëve t’i diskutojnë dhe të pajtohen mes vete, siç e thashë me lehtësimin e Bashkimit Evropian, zotit Lajçak dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Mirëpres faktin se dialogu ka nisur dhe mezi pres të shoh takime të frytshme në të ardhmen, në të ardhmen e afërt shpresoj.

A mendoni se dënimi i krimeve të luftës dhe pajtimi janë të domosdoshme për të shënuar sukses?

Davenport: Mendoj se këto janë të rëndësishme dhe kjo është parë në shumë vende pas situatave të konflikteve dhe e di se shumë punë e mirë është bërë para arritjes sime këtu në fushën e së vërtetës dhe pajtimit. Dhe kjo mendoj se do të vazhdojë në të ardhmen.

A mund të ketë ndonjë rol OSBE-ja ne zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu?

Davenport: Siç e thashë, Misioni në të kaluarën ka pasur përfshirje aktive në zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu. Përmenda zgjedhjet dhe gjyqësorin, shumë marrëveshje e rëndësishme në drejtësi, e cila është implementuar plotësisht dhe roli i misionit të OSBE-së i vazhdueshëm ka qenë në trajnimin e gjyqtarëve. Kështu që ne jemi të gatshëm, nuk e dimë se çfarë marrëveshjesh do të arrihen më tej, por gjithashtu ne jemi të gatshëm nëse na kërkohet mbështetje për zbatimin e marrëveshjeve të ardhshme.

Por në takimin e fundi, Qeveria e Kosovës iu ankua Brukselit se shumë marrëveshje të arritura nga dialogu i kaluar nuk janë implementuar ende dhe se Serbia vazhdon t’i mbajë gjallë strukturat paralele në Kosovë. Si e komentoni këtë?

Davenport: Kjo më të vërtetë u takon palëve të diskutojnë mes vete, siç e thashë nën lehtësimin e Bashkimit Evropian. Nuk do të ishte e drejtë nga ana ime të komentoj në këtë pikë.

Në tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë, mirëpo pa reformën e premtuar zgjedhore që ka nisur shumë vjet më parë. Cilat konsideroni se janë sfidat kryesore që duhet adresuar për t’u përmirësuar zgjedhjet?

Davenport: Një gjë të cilën dua ta them është se Kosova ka regjistër shumë të mirë te performanca e Komisionit Zgjedhor për shumë vjet dhe kjo u dëshmua në shkurtin e këtij viti kur Kosova mbajti zgjedhjet parlamentare me mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar, por duke udhëhequr vetë zgjedhjet. Mendoj se Kosova duhet të urohet për këtë. Duhet thënë se misionet e njëpasnjëshme të monitorimit veçanërisht nga Bashkimi Evropian, por gjithashtu edhe nga Britania e Madhe në fillim të këtij viti, kanë dalë me një numër të madh rekomandimesh për forcimin e mëtejmë të proceseve zgjedhore. Kjo është diçka të cilën e kemi diskutuar me Kuvendin dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë për forcim të mëtejmë dhe konsolidim të asaj që është arritur deri më tani. Dhe kjo do të kërkojë, natyrisht, marrëveshje mes partive për ta shtyrë përpara.

Do të doja ta përfundoja intervistën me një koment për perspektivën e rajonit. Meqë keni përvojë në Ballkan, duke shërbyer edhe si ambasador i Britanisë së Madhe në Beograd, si e shihni të ardhmen e rajonit?

Davenport: Keni të drejtë, kam qenë i përfshirë në çështjet që kanë të bëjnë me rajonin, posaçërisht me Kosovën dhe Serbinë për disa kohë. Jam optimist për rrugën përpara. Mendoj se me ardhjen këtu para tre-katër muajsh pashë shumë fusha në të cilat Kosova ka përparuar, mora si shembull zgjedhjet, por ka edhe shumë fusha të tjera ku Kosova ka lëvizur në drejtim pozitiv. Duhet të urohet për këtë. Mendoj se Misioni i OSBE-së në Kosovë duhet të jetë i përshtatshëm po ashtu, ne duhet t’u përgjigjemi nevojave të ndryshimit të Kosovës kur vjen puna te fusha të caktuara ku ne mund të sigurojmë mbështetje, është shumë ndryshe tani krahasuar me disa vjet më parë.

Ambasador Davenport, faleminderit për vizitën dhe intervistën!

Davenport: Faleminderit, faleminderit për ftesën!