Arbëri

Mungesë veprimesh pas denoncimit të pengesave nga Serbia

Pengesat e Serbisë nëpërmjet strukturave paralele në Kosovë është kërkuar të denoncohen edhe argumentohen edhe në takimet e radhës në Bruksel. Në zyrën e emisarit për dialogut, por as qeveria e Kosovës nuk kanë treguar nëse planifikohet ndonjë diskutim përkitazi me marrëveshjet e pazbatuara. E Misioni i OSBE-së që në të kaluarën ka ofruar mbështetje në zbatimin e marrëveshjeve ka shprehur gatishmëri sërish ta bëjë këtë

Denoncimi i marrëveshjeve zbatimin e të cilave po e pengon Serbia deri më tani nuk është shoqëruar edhe me ndonjë veprim nga ana e lehtësuesit të këtij procesi. Në zyrën e emisarit të Bashkimit Evropian nuk kanë treguar si planifikojnë t’i adresojnë ato.

Në takimin e fundit, Qeveria e Kosovës iu ankua Brukselit se shumë marrëveshje të arritura nga dialogu i kaluar nuk janë implementuar ende dhe se Serbia vazhdon t’i mbajë gjallë strukturat paralele në Kosovë. Në zyrën e zëvendës/kryeministrit për dialog, Besnik Bislimi nuk kanë komentuar nëse ndërkohë ka pasur ndonjë veprim as për agjendën e ardhshme të dialogut.

Rol në zbatimin e disa prej marrëveshjeve nga dialogu i kaluar ka pasur edhe OSBE-ja sa i përket zgjedhjeve në veri, integrimit të gjyqësorit e policisë.

Shefi i këtij misioni në Kosovë, Michael Davenport ka refuzuar t’i komentojë ankesat e qeverisë së Kosovës por ka thënë se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje nëse iu kërkohet.

mendoj se më takon mua të them se cilat duhet të jenë prioritetet e dialogut. Kjo me të vërtetë u takon palëve t’i diskutojnë dhe të pajtohen mes vete, siç e thashë me lehtësimin e Bashkimit Evropian, zotit Lajçak dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Mirëpres faktin se dialogu ka nisur dhe mezi pres të shoh takime të frytshme në të ardhmen, në të ardhmen e afërt shpresoj”, ka thënë Davenport për “Kohën”.

Ndërkaq njohësi i integrimeve, Demush Shasha thotë se qëndrimet e barrikaduara të palëve kanë penguar progresin në dialog.

“Ajo çfarë pamë në kuadër të raundit të fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ishte mungesë e vullnetit, mungesë e konstruktivitetit të të gjitha palëve për të bërë progres të ndjeshëm në kuadër të dialogut. Pra secila palë ka ardhur me qëndrimet e saja në kuadër të atyre pozicioneve të dyja palët kanë qenë të barrikaduara dhe rrjedhimisht nuk kemi parë ndonjë progres”, ka thënë Shasha. “Në këtë sfond po ashtu të dyja palët janë ankuar për mos zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më sot nga ana e palës tjetër respektive. Në këtë drejtim konsideroj se sa i përket takimit të ardhshëm pala jonë duhet të dorëzojë me shkrim saktë argumentet për mos zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë dhe të kërkojë nga fasilituesi të ndërmerren të gjitha masat për zbatimin e marrëveshjeve”. Por sipas Shashës, duhet kuptuar tani se vëmendja edhe e lehtësuesve është në të bërit progres drejt një marrëveshje përfundimtare siç është paralajmëruar nga Bashkimi Evropian por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Prandaj në këtë sfond duhet pasur parasysh se çfarëdo pakënaqësie apo çfarëdo argumenti që kemi për mos zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më sot këto argumente duhet të prezantohen në dritën e synimeve për arritjen e marrëveshjes përfundimtar për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë ai.

Sipas qeverisë së Kosovës, pengesat e Serbisë janë në politikë, siguri, arsim, shëndetësi dhe ekonomi.

Pas rinisjes së dialogut janë zhvilluar dy takime mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, por pa ndonjë rezultat.

Asnjë pajtim nuk është arritur mes Kosovës e Serbisë në takimin e dytë të zhvilluar në Bruksel ndërmjet kryeministri Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.

Kryeministri Kurti ka propozuar sërish që të nënshkruhet një Deklaratë e Paqes, por që sipas tij kjo u refuzua pa u lexuar fare nga presidenti serb.

Në anën tjetër presidenti serb Vuçiq ka thënë se takimi ishte më i keq se i kaluari’, teksa akuzoi Kurtin se po kthehet në shekullin 19 duke mos u pajtuar as me propozimet e BE-së. Beogradi vazhdon të insistojë në zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin qeveria e ka ndërlidhur me shuarjen e strukturave paralele.

Edhe emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak takimin e përshkoi si të vështirë dhe me qasje kundërthënëse mes palëve.

Ky ishte takimi i dytë mes Kurtit e Vuçiqit pas atij të zhvilluar më 15 qershor, në të cilin kryeminsitri kosovar shpalosi katër propozime për të ecur tutje.

Kurti propozoi që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.

Propozimi i dytë ishte që Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Ndërkaq pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Kurti ka propozuar reciprocitet bilateral.

Kryeministri i Kosovës po ashtu ka kërkuar që të largohet Veljko Odaloviq nga pozita për çështjen e të pagjeturve nga lufta e fundit. Kurti e ka kërkuar sërish largimin e Odaloviqit nga delegacioni kosovar teksa ka përmendur se Kosova në pozitën e njëjtë ka emëruar djalin e Ukshin Hotit, që vazhdon të jetë në mesin e të zhdukurve.