Arbëri

Von Cramon: Zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe Kosovë do të kenë ndikim në dialog

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola Von Cramon deklaroi se zgjedhjet e ardhshme në Beograd dhe Prishtinë, do të ndikojnë në dialogun e Brukselit dhe se të dy udhëheqësit, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq do të jenë të kujdesshëm në lëvizjet e tyre drejt votuesve deri në përfundim të zgjedhjeve, por shpreson se pas zgjedhjeve të ketë përparim në dialog.

“Është një proces shumë i gjatë dhe ne shohim që kemi zgjedhje në të dy vendet. Gjatë asaj periudhe, është shumë e vështirë për audiencën vendase të pajtohet me disa reforma më të thella ose ndryshime të mëdha. Në këtë drejtim, unë shoh që ka përparim. Të dy udhëheqësit po takohen, dhe unë do ta quaja atë një sukses. Ne duhet të shohim nëse po bëjmë përparim dhe ne në BE do të donim që të ishte më i shpejtë," tha Von Cramon për N1.

Ajo vlerëson se Kurti dhe Vuçiq do të jenë shumë të kujdesshëm për shkak të zgjedhjeve të ardhshme, si dhe se do të ketë një "periudhë më të lehtë për këtë dialog" pas zgjedhjeve.

"Unë pres që Vuçiq dhe Kurti të tregojnë udhëheqje, sepse të dy liderët kanë mbështetje të konsiderueshme në parlament dhe në mesin e votuesve. Qëllimi i negociatave nuk është të vendosin parakushte dhe të thonë atë që kërkohet dhe pritet nga dikush, por të shikojnë hapat individualë dhe rezultatet. Shpresoj që të dy udhëheqësit të jenë të përkushtuar ndaj integrimit evropian, dhe se ata e dinë që nuk është e lehtë, por është e mundur dhe se kjo çon drejt suksesit", tha Von Cramon.

Ajo vuri në dukje se Prishtina është angazhuar për krijimin e asociacionit të komunave serbe, por shtoi se institucionet në veri të Kosovës duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.

“Serbët në veri të Kosovës jetojnë në kushte relativisht dinjitoze. Mendoj se është e rëndësishme për Mitrovicën Veriore që të mos lejojë që hendeku etnik të forcohet ose të thellohet. Shpresoj se të gjitha pakicave në Kosovë u garantohen disa të drejta dhe se ata kanë vende në Parlamentin e Kosovës. Të gjithë kanë të drejtat e tyre, por në planin afatgjatë ato duhet të integrohen në sistemin e Kosovës," tha Von Cramon.

Tutje ajo theksoi se Albin Kurti është një person i ri në postin e kryeministrit, ka plane ambicioze të brendshme dhe dëshiron “t’i heqë qafet zakonet e vjetra të korrupsionit”.

"Qeveria i di të gjitha këto, por ne duhet të zgjerojmë perspektivën kur është fjala për pluralizmin, liritë mediatike të opozitës. Në vend të kësaj, hapësira për aktivistët, opozitën, organizatat joqeveritare dhe mediat e pavarura po ngushtohet. Dhe kjo është e rëndësishme kur bëhet fjalë për integrimin evropian të Serbisë”, tha Von Cramon duke folur për udhëheqjen e shtetit serb.

Vazhdimi i dialogut mes dy vendeve do të vazhdojë shtator./KSP/