Arbëri

Mësimi plotësues nuk do ta kompensojë 100% mësimin e humbur, thonë ekspertët

Për shkak të humbjeve të shkaktuara si pasojë e pandemisë, mësimi plotësues do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, kështu ka marrë vendim ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Ekspertët e arsimit, po e konsiderojnë veprim të mirë vazhdimin e mësimit plotësues edhe për vitin e ardhshëm, pavarësisht që sipas tyre nuk do të mund të kompensohet 100% mësimi i humbur si shkak i pandemisë, raporton Ekonomia Online.

Çështja e mësimit plotësues nuk duhet të shihet si një proces për të cilin duhet doemos të merret një vendim për të, ka deklaruar Ismet Potera, nga Instituti Pedagogjik i Kosovës.

Njohësi i çështjeve të arsimit thotë se mësimi plotësues ka qenë traditë gjithmonë e secilës shkollë për ata nxënës që kanë pasur probleme në mësimnxënie.

“Çështja e mësimit plotësues nuk duhet të merret kurrfarë vendimi për të, secili mësimdhënës, e secili mësues nëse nuk ja ka vendosur vetes njëfarë kufiri nën të cilit nuk bën me ra një nxënës, atëherë nuk e di se çfarë ka bërë ai për t’i aftësuar ata fëmijë. E dyta gjithherë në traditën shkollore ka qenë që mësimi plotësues të organizohet në bazë të dhënave që i ka secili mësues për klasën apo lëndën e vet, pasi jo të gjithë nxënësit kanë inteligjencë të njëjtë, dhe në këtë rast jepet edhe mësimi plotësues”, ka thënë Potera.

Sipas tij, secila shkollë dhe mësimdhënës e ka të obliguar një gjë të tillë, pasi humbjet nga pandemia janë shumë të mëdha.

Potera shton se e rëndësishme është të shihet cilësia e organizimit të mësuesve me fëmijët dhe të dihet se çfarë është humbur.

“Unë mendoj që secila shkolla dhe secili mësimdhënës e ka të obliguar një gjë të tillë, sepse dihet se çfarë kemi pësuar nga pandemia, atëherë të dhënat e deritashme tregojnë se nxënësit kanë humbur shumë mësim, e tash nëse këtë nuk e kompensojnë deri dikun atëherë ne po ja kthejmë shpinën misionin tonë. Numrat na tregojnë sasi por jo edhe cilësi, unë jam ithtar i asaj që të shihet se cila ka qenë cilësia e organizimit të mësuesve me fëmijët, dhe jam i bindur se 100% nuk mund të kompensohet ajo se çfarë është humbur, por së paku janë përmbushur disa nga nevojat”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, hezitimin e mësimdhënësve për tu vaksinuar e sheh si një problem të madh, duke bërë thirrje që ata që të vaksinohen sa më shpejtë për shëndetin e nxënësve.

“Mua më vjen keq shumë që mësimdhënësit si pjesë e intelektualëve të një vendi e bëjnë një hezitim të tillë, duke mos i besuar shkencës çka do duhej të ishte e kundërta, andaj unë vetë kam marrë vaksinën dhe duhet të gjithë ta marrin vaksinën që ti mbrojnë familjarët e tyre”, ka përfunduar Potera.

E në një prononcim për Ekonomia Online, drejtori i Institutit “Ed Guard”, Rinor Qehaja, ka vlerësuar se mësimi plotësues është i domosdoshëm qysh para fillimit të vitit të ri shkollor. Qehaja mësimin plotësues nuk po e sheh si risi, por vetëm një përkushtim të mësimdhënësve karshi nxënësve.

“Neve vlerësojmë që mësimi plotësues është i domosdoshëm edhe para fillimit të vitit të ri shkollor sikurse për gjatë gjithë vitit shkollorë, mësimi plotësues nuk na paraqet një risi por paraqet një përkushtim të nevojshme nga komuniteti i mësimdhënësve karshi nxënësve që kanë ngecje në arritjen e rezultateve të nxënit”, ka thënë Qehaja.

Ai ka shtuar se i gjithë suksesi i mësimit plotësues varet nga vetë mësimdhënësit. Ndërsa hezitimin e mësimdhënësve për tu mos u vaksinuar, Qehaja po e konsideron të paarsyeshëm.

“Mësimi plotësues ka kuptim vetëm nëse përkushtimi i mësimdhënësit për secilin nxënës individualisht është në maksimum dhe në momentin kur bëhet vetëm si proces në grup pa ndonjë përfshirje të madhe të mësimdhënësit përfundon sikurse që kanë përfunduar shumë herë pa ndonjë rezultat konkret. Gjithçka në sistemin tonë është e varur prej mësimdhënësit, dhe në mesin e tyre ne kemi pasur nga ata që kanë pasur vullnet për të arritur më të mirën në mësimin plotësues, mirëpo nga ana tjetër kemi pasur ku ky përkushtim nuk ka qenë në nivelin e duhur”, ka thënë Qehaja./EO