Arbëri

Kurti, Bislimi e Rexhepi shpenzuan shuma të ndryshme për biletat drejt Francës

Dallime në shumën e paguar për biletat e udhëtimit ka në mes të kryeministrit Albin Kurti e dy zëvendësve të tij, gjatë udhëtimit të bërë në muajin qershor për në Francë. Zëvendëskryeministrat Besnik Bislimi e Emilja Rexhepi, shpenzuan më shumë sesa Kurti, ndonëse fluturuan me të njëjtin aeroplan e në të njëjtën kohë. Zyra e Kryeministrit këtë e ka arsyetuar me lëvizshmëri çmimesh

Ndonëse janë ulur krah njëri-tjetrit, kryeministri Albin Kurti e dy zëvendësit e tij kanë shpenzuar shuma të ndryshme për biletën e aeroplanit drejt Francës.

Më shumë se kryeministri Kurti e zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka shpenzuar Emilja Rexhepi.

Ashtu ka qenë rasti edhe me Bislimin, bileta e të cilit ka kushtuar po ashtu më shumë sesa e Kurtit.

Derisa për biletë, Kurti ka paguar 499 euro e 56 centë, Bislimit udhëtimi në Francë i ka kushtuar 519 euro e 56 cent. Ndërkohë, zv.kryeministrja Rexhepi ka paguar 849 euro e 56 cent.

Për qëndrimin dyditor në Francë, zv.kryeministrat Bislimi e Rexhepi kanë marrë mëditje nga 197 euro e 80 centë.

Në total, për këtë udhëtim, Kurti e dy zv.kryeministrat kanë shpenzuar 2 mijë e 264 euro e 28 centë.

Lidhur me dallimin në pagesat e bëra për biletat e udhëtimit drejt Francës, KOHA ka kërkuar sqarime.

“Lëvizshmëria e çmimeve të biletave të avionit nga dita në ditë e ka shkaktuar këtë dallim”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së kryeministrit.

Por, këto shpenzime janë të vetmet që i janë siguruar KOHËS nga Zyra e kryeministrit, nëpërmjet qasjes në dokumente publike.

Sipas sqarimit të tyre, për të tria vizitat zyrtare që Kurti i ka pasur gjatë muajit qershor e korrik, në Francë, në Maqedoninë e Veriut e Greqi, shpenzimet e akomodimit e shpenzimet e tjera kanë qenë të mbuluara nga organizatorët.

Gjatë vizitës në Francë, kryeministri Albin Kurti, është takuar me presidentin Emmanuel Macron, gjersa kanë mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për media.

Për vizitat e tij të bëra në muajt e fundit, kreu i ekzekutivit është kritikuar nga opozita dhe shoqëria civile. Sidomos në ato të muajit korrik, e nga të cilat Kurti nuk është kthyer në Kosovë për rreth 10 ditë.