Arbëri

Pacolli mendon të ndahet nga LDK-ja?

Në asnjë skenar, Behgjet Pacolli nuk do të prishë koalicionin me LDK-në e Alternativën. Në një intervistë për Rubikon të KTV-së, Pacolli ka thënë se ndonëse kreu i LDK-së shpesh është siç e quajti “kryeneç”, ata kanë harmoni me partnerët.

Nëse ka ndonjë pakënaqësi, ai ka thënë se mund të protestojë, por jo të ndahet.

“Mund të protestoj në kuadër të koalicionit. Kemi një bashkëpunim të mirë me LDK-në, jemi mirë të harmonizuar dhe i diskutojmë gjërat shumë shpesh. Isa Mustafa, e kam thënë gjithmonë, se është pak kryeneç, por është shumë principial”, ka thënë Pacolli. “100 për qind jam në mbështetje të koalicionit tim”.

Pacolli ritheksoi se në asnjë mënyrë si i vetëm nuk do t’i ndihmojë formimit të qeverisë së PAN-it.

Ai tha se për biseda është përgjegjës partneri koalicionit, në këtë rast LDK.

Mirëpo, nëse shkohet në zgjedhje të reja, Pacolli nuk e përjashton mundësinë se mund të shkojë vet.

“Ne jemi për këtë fillim nëse ky sjell rezultate, nëse përmbushen disa kritere që i kemi diskutuar, nuk kemi nevojë që të ndahemi, edhe në zgjedhje të ardhshme, por nëse ndodh që ka ndryshuar diçka, atëherë shkojmë vet”, ka thënë Pacolli.