Arbëri

Takohen liderët shqiptarë të Maqedonisë, mungon ai i Besës

Po vazhdon takimi i liderëve shqiptarë, i thirrur nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Takimi po mbahet në Shkup.

Bashkimi Demokratik për Integrim e ka thirrur këtë takim me qëllimin e shqyrtimit dhe implementimit të përcaktimeve programore të bazuara në “Deklaratën e Përbashkët” të partive shqiptare.

Në takim po marrin pjesë: nga BDI-ja në këtë takim marrin pjesë kryetari dhe organizatori i këtij takimi Ali Ahmeti, deputeti Artan Grubi, nënkryetarja Teuta Arifi, nënkryetari tjetër Izet Mexhiti, nga Aleanca për Shqiptarët të pranishëm janë Ziadin Sela dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, kurse nga PDSH-ja prezent është Luan Tresi.

Ftesës së Ali Ahmetit nuk i është përgjigjur Lëvizja Besa. Kjo parti propozoi që një takim i të tillë të mbahet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Lëvizja Besa propozon që në takim të diskutohet edhe për përpunimin e planit për Propozim-ligjin për gjuhën shqipe dhe formimin e grupeve të punës për implementimin e tij.

Një fakt tjetër interesant i këtij takimi është prezenca e PDSH-së për faktin se ajo nuk ka qenë firmatare në “Deklaratën e Përbashkët” të partive shqiptare, por nga ana tjetër i është përgjigjur ftesës së kryetarit të BDI-së në këtë takim.