Arbëri

Rama vlerëson Vuçiqin për zemërgjerësi

Descriptive Text

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nisma “Open Ballkan” nuk është një nismë ekskluzive, por inkluzive. Rama e ka thënë këtë gjatë konferencës për media pas përfundimit të Forumit për Bashkëpunim Rajonal Ekonomik të mbajtur në Shkup, e ku u nënshkruan marrëveshje mes Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë Veriore.

Rama është pyetur nga gazetarët nëse do të avancojë parimet me Kosovën, siç ka avancuar me Maqedoninë e Veriut e Serbinë.

“Po e përsëris që jo vetëm unë, por të tre ne e kemi thënë e rithënë e stërthënë, jo vetëm me gojë por edhe në deklaratat tona, që kjo nismë nuk është ekskluzive por është inkluzive. Nuk është përjashtuese por është gjithëpërfshirëse, e mbi të gjitha është nisëm e hapur e lirë për të gjitha vendet që të veprojnë sipas interesit e logjikës së tyre. Shqipëria do ta bëjë këtë proces me gjithë kur dhe si të jetë e mundur. Dhe nga ana tjetër nuk ka për ne asnjë problem nëse dikush tjetër nuk do ta bëjë apo do ta bëjë pjesërisht. Ne duam që komunitetet e vendeve tona qofshin qytetarë apo subjekte biznese, të kenë nja hapësirë lirie evropiane brenda rajonit tonë, dhe nuk ka asnjë problem në këtë”, tha Rama.

Ai shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë një hap shtesë duke pranuar që nisma “Open Ballkan” të jetë jo vetëm gjithpërshirëse, por të shkoj përtej Procesit të Berlinit kur vjen fjala për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

“Këtu dua të shtojë, se Serbia dhe presidenti i Serbisë kanë bërë një ekstra milje duke pranuar që nisma të jetë jo vetëm gjithpërfshirëse por të shkoj përtej Procesit të Berlinit kur vjen fjala për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Që do të thotë se në këtë aspekt nuk ka asnjë shoqëri në këtë territor që të jetë e deskriminuar, nuk ka asnjë qytetar në këtë territor që të jetë i deskriminuar. Dhe përtej çështjes së hapur mes Serbisë e Kosovës, kjo nisëm u thotë popujve, e individëve e bizneseve, se ju jeni të barbarata. Përtej faktit se në nivelin shtetëror e institucional ka një çështje ende e hapur e që është në rrugën e trajtimit me dialogun e vështirë mes dy vendeve. Ky është një oportunitet kolosal për të gjithë shoqëritë tona, ky është potencial i madh, ne nuk kemi luksin por nuk kemi të drejtë si udhëheqës që ta mbajmë këtë potencial të pazhvilluar. Nuk kemi të drejtë të privojmë shoqëritë tona, vendet tona nga rritja e drejtpërdrejt ekonomike. E thotë Banka Botërore hyni në këtë proces do të keni rritje të ekonomisë, rritje të GDP suaj, si mund të themi jo, për çfarë arsye. E nëse del dikush e thotë në këtë nisëm ja ku është e keqja, konspiracioni e fshehta, por me fakte, atëherë unë kërkoj falje”, tha Rama. “Por këtu nuk ka asnjë të fshehtë, të keqe apo konspiracion, është nisëm që i flet të ardhmes e komunikon për të ardhmen. Sa më shumë komunikojmë për të ardhmen aq më shumë do të kemi lehtësi për të trajtuar të shkuarën. E shkuara nuk mund të mbajë peng popujt”.

Rama ka thënë se më 1 janar të vitit 2023 do të ketë lëvizje mes tri vendeve të rajonit me 0 sekonda pritje në kufijtë. Ka thënë se të gjithë janë të mirëseardhur të bashkëngjiten.

“Jemi gati të gjitha marrëveshjet të bëjmë më të gjithë. Pa hyrë fare me këtë proces kemi bërë ligjin për të trajtuar qytetarët e rajonit të barabartë me të BE-së kur vjen puna te lejet e qëndrimit e lejet e punës njësoj. Nuk do të ndajmë të rinjtë në të rinj të dorës së parë dhe të dytë, nëse vjen fjala për lëvizjen universitare, apo shkollore olimpike, kur vjen fjala për mundësitë për bashkëpunim. .Por nuk mund dot të vendosim për qeveritë tjera, kur bëhet fjalë për marrëveshjet e lëvizjes së lirë të mallrave. Më 1 janar të 2023 do të kemi mes vendeve tona 0 sekonda pritje në kufij. Të tjerët janë të mirëseardhur të vijnë e të në bashkëngjiten. Nëse vijnë askush si pengon, boll me këtë na ftuan e s’na ftuan. Ishim në Tiranë të gjashtë vendet për të diskutuar dhe aty diferenca ishte e qartë disa duan e disa s’duan. Nuk ka problem. Por ajo që e thashë aty e përsëris këtu, autostradat, hekurudhat, lëvizja e lirë e mallrave mbase nuk janë e njëjta gjë me demokracinë, por demokraci e liri pa këto është shumë e vështirë të kesh dhe ta kesh të pakërcënuar. Unë bashkohem plotësisht me bindjen se politika më e mirë është bashkëpunimi, afrimi, ekonomia, rinia”, tha Rama.