Arbëri

Bajrami: Buxheti nuk përkon fare me programin e Qeverisë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, njëherit ish-ministre e Financave, ka kritikuar buxhetin e Qeverisë Kurti 2.

Sot në Kuvend është miratuar në lexim të dytë Ligji për rishikimin e buxhetit.

“Ndër të tjera ne kemi parë se buxheti nuk përkon fare me programin e qeverisë. Asnjëra nga premtimet faktikisht që ka në program Qeveria Kurti nuk është se e ka reflektuar në buxhet. Mbi të gjitha do të thotë aty flitet për fondin e ringjalljes ekonomike, siç po e quajnë ata fondin e rimëkëmbjes ekonomike për 420 milionë euro që askund nuk shihen në buxhet. Gjatë diskutimit të leximit të parë, por edhe gjatë diskutimit të leximit të dytë, ne kemi kërkuar në vazhdimësi sqarime nga ministri i Financave por nuk kemi arritur t’i marrim ato”, ka thënë Bajrami në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ka thënë se Qeveria Kurti 2 në 4 muaj ka marrë vetëm një masë, ajo prej 6 milionë euro për gastronomët, që thotë se nuk dihet nëse është implementuar në tërësi.

“Nga tabelat buxhetore shihet, është fondi për rimëkëmbje ekonomike si zonë buxhetore në kuadër të Ministrisë së Financave e Transfereve, që është 133.6 milionë euro, e nuk shihen asgjëkundi të tjera. Një nga shtyllat të pakos së ringjalles ekonomike të Qeverisë Kurti janë investimet kapitale apo për publikun e aty flitet për rreth 100milionë euro. Ndërkohë investimet kapitale në tabelën 1 të buxhetit të rishikuar janë zbritur për 73 milionë euro. Të ju them të drejtën vërejtjet ishin të shumta, edhe mungon buxheti, por edhe po të ishte buxheti ka shumë pak kohë për ekzekutimin e tij. Nëse llogarisim janë më shumë se 4 muaj kur Qeveria Kurti ka marrë drejtimin e vendit. Deri më tash kemi parë vetëm një masë që nuk e dimë nëse është implementuar e tëra, është masa 6 milionë euro për gastronominë, për 12 ditët e mbylljes kur pati edhe një mbyllje totale të ekonomisë. Tani të pretendosh që ke 420 milionë që nuk janë në buxhet, e në anën tjetër të pretendosh se mund të shpenzosh, është jashtëzakonisht jo reale”, tha Bajrami.