Arbëri

DASH: Kosova ruajti sektorin financiar nga ndikimi i COVID-19

Foto: Reuters

Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit  vlerëson se në Kosovë sistemi rregullativ është në pajtueshmëri me direktivat e BE-së dhe standardet ndërkombëtare.

BQK përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur, se ky raport vlerëson se BQK-ja ka marrë të gjitha masat e kërkuara, për të përmirësuar politikat për rrjedhën e lirë të burimeve financiare.

“Megjithëse sipas parashikimeve të FMN-së ekonomia kosovare gjatë vitit 2020 kishte rënie prej 6% për shkak të COVID-19, sektori bankar mbetet mirë i kapitalizuar dhe profitabil. Raporti vlerëson se shërbimet financiare dhe huadhënia bankare janë përmirësuar dukshëm gjatë viteve të fundit. Në mars 2021 kreditë joperformuese janë në nivelin prej 2.7%, përderisa normat e interesit kanë rënë dukshëm, nga një mesatare prej 12.7% që ishin në vitin 2012 në një mesatare prej 3.1% në marsin e vitit 2021” thuhet në njoftimin e BQK-së.

Gjithashtu sipas BQK-së lejohet transferimi i fondeve në tregjet e huaja ose shndërrimi në valutë të huaj, të cilat duhet të përpunohen në përputhje me procedurat bankare të BE-së.

“Kosova nuk zbaton asnjë lloj kontrolli të kapitalit ose kufizime në flukset ndërkombëtare të kapitalit dhe si e tillë, qasja në këmbimin e valutave të huaja për dërgesat e investimeve është e liberalizuar plotësisht. Pavarësisht tronditjeve nga COVID-19 në të gjitha ekonomitë botërore, në vitin 2020 remitancat në Kosovë ishin të qëndrueshme dhe shënuan rritje prej 15.1% ose mbi 1.2 miliard dollarë” është thënë mes tjerash në njoftimin e BQK-së.

Në këtë link gjeni raportin e DASH-it https://www.state.gov/reports/2021-investment-climate-statements/kosovo/