Arbëri

Administrata Tatimore e Kosovës mëson nga përvojat e Bavarisë

Një delegacion nga Administrata Tatimore e Kosovës ka qëndruar në Munih të Gjermanisë, për vizitë zyrtare në Ministrinë e Financave dhe në Administratën Tatimore të Bavarisë.

Qëllimi i vizitës ishte marrja e praktikave të Bavarisë në zhvillimet institucionale dhe përcaktimi i projekteve të reja për zhvillimin e kapaciteteve të ATK-së, si dhe modernizimin e proceseve të saj.

Administrata Tatimore e Bavarisë ka përkrahur ATK-në që nga viti 2010, kryesisht në ngritjen e njohurive të stafit përmes organizimeve të trajnimeve për legjislacionin tatimor.

Gjithashtu, me ndihmën e Bavarisë ATK ka themeluar njësinë organizative Zgjona, e cila ndryshe në Administratën Tatimore të Bavarisë njihen si njësia Bustra.

Së fundi me përkrahje nga ekspertet nga Bavaria dhe GIZ, ATK është duke zbatuar edhe kontrollet elektronike, të cilat kanë ndikuar në reduktimin e kohën së kontrollit.

Po ashtu, përkrahje tjetër ATK ka marrë për ngritjen e kapaciteteve në Drejtorinë e Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës.

Ndryshe, vizita ishte mundësi e mirë e njoftimit për së afërmi të dy institucioneve, të cilat po ashtu u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në të ardhmen. Ky delegacion ka qëndruar në Gjermani nga data 26 deri më 28 qershor, vizitë kjo e cila është mundësuar nga organizata gjermane GIZ.