Arbëri

Pas aksidentit në Kroaci, policia paralajmëron masa ndaj kompanive të autobusëve

Pas aksidentit në Kroaci ku humbën jetën 10 qytetarë të Kosovës, Policia e Kosovës në Ferizaj ka mbajtur një takim me përfaqësuesit e kompanive të transportit publik të udhëtarëve nga rajoni i Ferizajt.

Përmes një njoftimi policia ka bërë të ditur se në këtë takim veç tjerash është diskutuar situata e sigurisë në komunikacion, e cila është vlerësuar të jetë e mbingarkuar nga qarkullimi i automjeteve në rrugë, ndërkaq është paraqitur nevoja që urgjent të merren masa, të nevojshme nga përgjegjësit e kompanive të transportit publik të udhëtarëve, me theks të veçantë , transportit ndërkombëtar për të shtuar kujdesin e tyre.

“Nga policia, janë dhënë rekomandime, që kompanitë e transportit publik të udhëtarëve, të sigurohen se, a kanë caktuar drejtues ( shoferë) të autobusëve me përvojë, të sigurohen se këta shoferë, a janë në gjendje të mirë shëndetësore, bazuar edhe në certifikatat e tyre mjekësore, siç është përcaktuar me ligj, të sigurohen gjithashtu se, a janë duke i respektuar të gjitha rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor, edhe sa i përket kohëzgjatjes së drejtimit të autobusit dhe a janë prezent edhe ndihmës shoferët, gjatë transportit në linjat ndërkombëtare, si dhe masat tjera mbi gjendjen teknike të këtyre automjeteve” thuhet në njoftimin e policisë.

Policia gjithashtu ka bërë të ditur se pas këtyre sugjerimeve dhe rekomandimeve do të marrë të gjitha masat e nevojshme, ku do të bëjë kontrolle të jashtëzakonshme të tyre, si për shoferët, ashtu edhe për gjendjen teknike të autobusëve dhe për ç’do parregullsi do të marrë masat adekuate sipas ligjit të komunikacionit rrugor, krejt kjo me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor .