Arbëri

Bashkëpunimi rajonal në fushën e migrimit, i paalternativë

Descriptive Text

Prishtinë, 28 qershor - Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, mori pjesë në takimin e Forumit të Iniciativës Rajonale “MARRI”, që u mbajt në Beograd. Ky është një forum i nivelit të lartë dhe vendimmarrës në hartim, bashkërendim dhe implementim të politikave rajonale në fushën e migrimit, azilit dhe refugjatëve.

Zëvendësministri Hoxha në fjalën e tij para pjesëmarrësve të Forumit, fillimisht paraqiti rezultatet e arritura nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera të Republikës së Kosovës në të gjitha fushat e ndjeshme, në veçanti në fushën e migrimit, azilit dhe refugjatëve. Ai konstatoi një progres permanent dhe u zotua për një angazhim sistematik drejt rritjes së kapaciteteve në këto fusha.

Sipas njoftimit për medie, ai po ashtu theksoi se Kosova, si anëtare me të drejta të plota e iniciativës “MARRI”, vazhdon të jetë e angazhuar seriozisht në aktivitetet e saj, duke kontribuar aktivisht edhe në thellimin e komunikimit dhe bashkëpunimit në mes të shteteve të rajonit, si një nga parakushtet thelbësore të rrugëtimit të përbashkët drejt Bashkimit Evropian.

“Bashkëpunimi rajonal, sidomos në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kontekst të unifikimit të procedurave, ndarjes së informatave dhe bashkërendimit të aktiviteteve të përbashkëta, është e një rëndësie të veçantë dhe e paalternativë për krijimin e frontit të përbashkët kundër krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore, krimeve ndërkufitare si dhe terrorizmit”, tha ndër të tjera zëvendësministri Hoxha.

Në këtë takim, përveç shteteve anëtare, morën pjesë edhe shumë organizata ndërkombëtare si: EASO, UNHCR, IOM, GIZ, si dhe përfaqësuesit e ambasadave të shteteve si: SHBA, Franca, Italia, Zvicra etj.

Gjatë punimeve të këtij forumi u bë edhe kalimi i Presidencës së radhës nga Serbia në Republikën e Shqipërisë, e cila do të kryesojë gjatë vitit të ardhshëm.

Image