Arbëri

Arrest shtëpiak për katër aktivistët e VV-së deri më 28 gusht

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar arrestin shtëpiak deri më 28 gusht katër aktivistëve të Vetëvendosjes, të akuzuar për sulm ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës.

Vetëvendosje ka reaguar ndaj këtij vendimi, duke thënë se “gjyqtari Beqir Kalludra ka vendosur që ta vazhdojë padrejtësinë ndaj aktivistët të cilët po mbahen që 10 muaj në arrest shtëpiak. Duke ua vazhduar arrestin deri më 28 gusht, bëhet 1 vit mbajtje në arrest nën akuza të montuara politike për aktivistët Adea Batusha, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi dhe Atdhe Arifi”.

“Vendimi i gjykatës është kopje e atij të dy muajve më herët. Kjo kopje tregon për dëshirën për t'i mbajtur aktivistët brenda dhe jo për të vendosur drejtësi. Në vendimin e kaluar shkruante se ata mbahen për shkak se në agjendë politike është çështja e demarakacionit dhe se lirimi i tyre mund ta paraqiste rrezik. Njëjtë, edhe në vendimin e sotëm, shkruan ashtu, pavarësisht ndryshimit të rrethanave dhe se kjo çështje nuk është më në agjendë”, thuhet në reagimin e VV-së.

Vetëvendosje thekson se katër aktivistët po mbahen në arrest shtëpiak pa fakte dhe se këtë vendim gjykata po e merr sipas dëshirës së pushtetit nga qeveria e kaluar.

“Lirimi sa më parë i tyre është shenjë për çlirim të drejtësisë. Deri atëherë, ata janë prova e një shoqërie që funksionin me diktat”, thuhet në këtë reagim.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar shqyrtimin gjyqësor për katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti për datën 22 gusht 2017.