Arbëri

Mjekët kërcënojnë me veprime sindikale në rast nuk marrin pagesat shtesë

Një ditë para se Kuvendi i Kosovës të debatojë për ndarjet buxhetore për vitin 2021, Federata Sindikale e Shëndetësisë i ka kërkuar edhe njëherë Kuvendit që në këtë ndarje të përfshihet pagesa shtesë për punëtorët shëndetësor.

“Kur jemi para miratimit në Kuvend të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 kërkojmë edhe njëherë që të përfshihet pagesa e shtesës në pagë për të gjithë të punësuarit në sektorin e shëndetësisë” është thënë në kërkesën e FSSHK-së.

Kjo federatë ka tërhequr vërejtën se në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre, ata në shtator do të ndërmarrin veprime sindikale.

“Ne sot si kryesi jemi marr vesh që nëse nuk miratohet kërkesa jonë për shtesat në pagë bazuar në Ligjin nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës pavarësisht situatës epidemiologjike në Shtator do të ndërmarrim veprime radikale sindikale. FSSHK ju rikujton,mos tentoni të manipuloni por zbatoni Ligjin nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës” është thënë më tutje në këtë kërkesë.

FSSHK-ja gjithashtu ka bërë të ditur se kjo kërkesë i është dërguar edhe Kryetarit të Komisionit Parlamentar për buxhet,punë dhe transfere Armend Muja, Kryetarit të Parlamentit Glauk Konjufca si dhe Kryetares së Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale .Fatmire Kollçakut.