Arbëri

Gjykata Speciale brenda një jave kompleton legjislacionin

Descriptive Text

Gjykata Speciale brenda shtatë ditësh do të jetë me legjislacion të kompletuar për të filluar punën.

Kjo pasi që Kryetarja e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatëse Ann Power-Forde, në aktvendimin e shpallur sot në mesditë ka bërë të ditur se Rregullorja e Procedurës dhe Mbledhjes së Provave, është në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

“Gjykata vlerësoi njëzëri se Rregullat e Rishikuara janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,” thuhet në njoftimin e dërguar nga zyra për media e Gjykatës Speciale.

Rregullorja në fjalë, në muajin prill të këtij viti ishte konstatuar se 9 pika i kishte në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës. Gjykatësit e Dhomave të Specializuara, rishikuan rregulloren dhe pikat që ishin në kundërshtim, për tu referuar sërish nga kryetarja e Gjykatës, Ekaterina Trendafilova tek Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese.