Arbëri

Kompania që varrosi viktimat nga COVID-19 mori paratë nga MSH-ja përmes përmbarimit

Një sërë shkeljesh ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit, gjatë auditimit bërë Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2020.

Njëra prej gjetjeve ishte se MSH-ja nuk kishte respektuar procedurat e prokurimit, sa i përket shërbimeve për transportin e kufomave të personave, të cilët kishin vdekur si pasojë e Covid 19.

Kjo ka bërë që kompania që kishte kryer këtë shërbim ta dërgonte këtë institucion në përmbarim privat duke e fituar rastin, me një shumë prej 127 mijë eurosh.

“Pagesa në vlerë 127,835 euro kishte të bënte me përgatitjen dhe transportin e kufomave si pasojë e “COVID -19”. Shërbimet ishin kryer pa ndjekur procedurat e prokurimit. Pagesa është ekzekutuar përmes vendimeve gjyqësore, pasi që zyrtarët përgjegjës për procedim të pagesës nuk kanë kryer pagesën dhe OE ka dërguar lëndën te përmbaruesi privat dhe ka fituar rastin” thotë raporti i auditimit.

Megjithatë, sipas shpjegimeve që MSH kishte dhënë, ky institucion nuk ishte përgjegjës për këtë shërbim pasi shërbimi ishte kryer në SHSKUK.

“Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, ata nuk kanë kërkuar nga operatori ekonomik të kryej shërbimin (shërbimet janë kryer në SHSKUK), por meqë ministria është caktuar si bartëse e proceseve të menaxhimit me pandemi si dhe pasi shërbimet janë menaxhuar në koordinim me Qendrën Operative Emergjente, e kanë pranuar propozimin për përmbarim duke mos prapësuar lëndën”, thotë raporti i ZKA-së për vitin 2020.

ZKA-ja në një tjetër tender gjithashtu ka evidentuar shkelje.

Tenderi për “Projektimin dhe Mbikëqyrjen profesionale e projektit të Klinikës Emergjente në QKUK - Adaptimi i objektit për nevoja të Covid 19” ishte zhvilluar përmes procedurës së negociuar pa publikim dhe kishte rezultuar me dy kontrata në vlerë totale për dy lote 379,950 euro, thotë raporti i auditimit.

“Loti 1 për projektim ishte nënshkruar dhe paguar në vlerë 189,992 euro ndërsa loti 2 për mbikëqyrje ishte nënshkruar në vlerë 189,958 euro e cila nuk është realizuar. Tenderi për zbatimin e kësaj procedure "Adaptimi i Klinikës se re Emergjente për nevoja të Covid-19" në vlerë të parashikuar 18,683,463 euro ishte publikuar më datë 23.12.2020 dhe e njëjta ishte anuluar para hapjes së ofertave për arsye se me miratimin e buxhetit për vitin 2021 nuk është paraparë buxhet për këtë projekt” vë në pah raporti

Auditori gjithashtu ka evidentuar se dy pagesa nga investimet kapitale në vlerë 1,563,245 euro nuk ishin regjistruar në regjistrin e pasurive në SIMFK.

“Këto pagesa ishin për 'Furnizime mjekësore, pajisje speciale mjekësore' në vlerë 593,600€ dhe pajisje tjera në vlerë 969,645 euro. Arsyeja e mosregjistrimit të pasurive ishte moskomunikimi i duhur brenda ministrisë nga IKSHPK dhe administrata e ministrisë”, thotë raporti.

Auditori po ashtu ka gjetur se në depon qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë janë gjetur barna, përkatësisht 14 mijë e 220 copë insulina me afat të skaduar, vlera e të cilave ishte 36,261 euro.

“Sipas zyrtarëve të Divizionit të Farmacisë në ministri barnat nuk janë shpërndarë në mungesë të kërkesës nga njësia kërkuese”, është thënë në raportin e ZKA-së.