Arbëri

MMPH vazhdon të dalë keq në raportet e auditimit

Gjashtë muajt e parë të 2016-ës, pati zot shtëpie Ferid Aganin, e 6 muaj të tjerë mbeti pa të, raporton KTV .

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor vazhdon të dalë keq në raportet e auditimit.

“Ekziston një numër i dobësive të qeverisjes, veçanërisht lidhur me llogaridhënien, menaxhimin e rrezikut dhe cilësinë e raportimit menaxherial”, vlerëson Auditori i Përgjithshëm për ministrinë e mjedisit për vitin 2016.

Ministria, gjatë 2016-ës, kishte pranuar fonde nga donatorët në vlerë prej 2,291,743. Auditori ka gjetur se nga këto mjete janë shpenzuar vetëm 56%.

Andaj, sipas auditorit, niveli i ulët i shpenzimit të fondeve të donatorëve mund të rezultojë me humbje apo reduktim të donacioneve në periudhat e ardhshme.

Tutje, ministria ka shkelur ligjin tatimor, i cili përcakton që punëdhënësi duhet të mbajë në burim tatimin në të ardhurat personale për pagesat për shërbimet profesionale.

Auditori ka identifikuar që MMPH-ja nuk e kishte mbajtur tatimin në burim dhe kontributin pensional për pagesat për shërbimet profesionale, ndonëse vlera e pagesave për këto shërbime gjatë vitit 2016 ishte 33,159€.

Kjo shpie në humbje financiare për Buxhetin e Kosovës.