Arbëri

Demi: Qeveria aktuale po gabon që po i vazhdon politikat e Haradinajt

Analisti politik, Agron Demi, ka thënë se Qeveria Kurti është duke gabuar që po i vazhdon politikat e Qeverisë Haradinaj.

Duke komentuar thirrjet e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për protesta ndaj Qeverisë Kurti për shkak të marrëveshjes për “tiketë digjitale” në vlerë pesë euro kur të regjistrohen veturat dhe deklarimet e Qeverisë aktuale se kjo marrëveshje ishte bërë në kohën e Qeverisë Haradinaj, Demi i ka përmbledhur shkurt duke i thumbuar të dy qeveritë.

“Ramushi po thërret protesta për rrëzimin e qeverisë për shkak të kostove prej 5 euro shtesë për tiketat ngjitëse kur regjistrohen automjetet, tender i cili është hapur më 2018 kur Pal Lekaj ka qenë ministër e Ramushi kryeministër ?. Gabimi i qeverisë aktuale është që po i vazhdojnë politikat e Ramushit e Palit, e jo se po veprojnë ndryshe”, ka shkruar ai në Facebook.

Qe dy ditë opozita ka kritikuar Qeverinë Kurti për marrëveshjen me një kompani për tiketa digjitale për veturat që regjistrohen. Sipas kësaj marrëveshje, një veturë duhet të paguajë pesë euro shtesë kur të regjistrohet për këtë tiketë. Ndërkaq në një sqarim të enjten, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se e ka nënshkruar marrëveshjen pasi “rekomandimet kanë qenë që duhet nënshkruar sepse në të kundërtën do të kemi dëme financiare si shtet sepse kompania e fiton rastin në gjykata”. E Haradinaj ka akuzuar Qeverinë se e ka nënshkruar këtë marrëveshje edhe pse ka pasur “vendim për anulim”.