Arbëri

Rizvanolli: “Kosova e Re” nuk është në tavolinë, mund të paguajmë dënime milionëshe për të

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se “Kosova e Re” nuk është në tavolinë të Qeverisë si projekt në zhvillim dhe se i njëjti ka përfunduar.

“Kosova e Re nuk është në tavolinë, ajo është një projekt që praktikisht është i përfunduar, ka përfunduar në arbitrazh. Avokati i Popullit po e mbron Kosovën në këtë rast dhe ka mundësi që do të përfundojmë duke paguar dënime dhjetëra milionëshe për këtë projekt”, ka thënë ajo duke shtuar se Qeveria nuk ka plan për ndërtimin e kapaciteteve të reja me thëngjill.

Në Deskun e KOHËS, Rizvanolli ka thënë se nuk mund të hiqet dorë plotësisht nga thëngjilli si burim i energjisë.

"Të thuash kemi hequr dorë prej thëngjillit do të thotë do t’i dekomisionosh termocentralet që i kemi, kjo nuk mund të ndodhë. Në mungesë të një strategjie, të ndërtimit të kapaciteteve të reja dhe planifikimit, jemi në 2021 dhe ende nuk mund të themi se mund ta dekomisionojmë Kosovën A dhe ta zëvendësojmë këtë kapacitet”, shtoi ajo.

Sipas saj, nuk është i lehtë tranzicioni energjetik.

“Sistemi jonë energjetik është i ndërtuar rreth këtyre kapaciteteve që i kemi. Nuk është e lehtë ta bëjmë tranzicionin energjetik, duke përfshirë faktin se nuk kemi burime të mjaftueshme ujore”.

Rizvanolli ka thënë se brenda këtij viti dhe tjetrit Qeveria do të ketë strategji të energjisë.