Arbëri

Prokuroria: Dy vdekjet në Deçan s’kanë lidhje me helmimin

Dy vdekjet e dyshimta që kanë ndodhur të martën në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës nuk kanë të bëjnë me helmimin në Deçan, por si shkak i sulmit kardiak, ka thënë Prokuroria Themelore e Pejës.

“Fillimisht ka pasur shqetësime të mëdha të qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë në QKMF në Deçan ku njëri nga ta ka qenë edhe njëri nga viktimat që është dërguar për obduksion. Më pas prokurori kujdestar i krimeve të rënda ka urdhëruar që dy trupave të pajetë t’u bëhet obduksioni dhe sot kemi pranuar një informatë nga eksperti i mjekësisë ligjore se të njëjtit kanë ndërruar jetë për shkak të sulmit kardiak, problemeve me zemër. Me këtë rast janë hequr të gjitha dilemat se të njëjtit kanë mundur të jenë të helmuar apo ndërlidhet me rastin në Deçan”, ka thënë për KosovaPress zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

Ai ka thënë se janë autorizuar organet përgjegjëse për kryerje të analizave të ujit, ndërsa ka thënë se hetime po kryhen në disa pista. Nikçi ka paralajmëruar se analiza mund t’u bëhen edhe të helmuarve.

Deri tash në Deçan janë regjistruar mbi 1500 persona që kanë kërkuar trajtim shëndetësor për shkak të helmimit.

Për shkak të situatës së krijuar Komuna e Deçanit të martën ka shpallur gjendje emergjente.