Arbëri

Kanabisi në serrat e publikuara nga Ministria e Bujqësisë në Shqipëri

Një ditë pasi Ministria e Bujqësisë në Shqipëri publikoi një video nga serrat në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Lushnje, ku mes të tjerash dallohej se ishin mbjellë dhe lëndë narkotike ka reaguar ky institucion. Ministria përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se kjo procedurë bëhet që prej vitit 2010 sipas një protokolli të përcaktuar, që fillon nga marrja në dorëzim e farërave, mbjellja e tyre, shërbimet dhe dorëzimi i bimëve sipas dokumentacionit përkatës. Po ashtu, ata shtojnë se bimët mbillen në të njëjtat ambiente që përdoren edhe për kultivimin e bimëve të tjera.

Ndërsa në lidhje me zjarrin që u vendos pak orë pasi u publikuan pamjet e kanabisit, ministria shkruan se informacioni është i pasaktë, raporton TCH.

Sipas tyre, bëhet fjalë për një zjarr në një sipërfaqe të kufizuar toke në distancë me këtë qendër, ku digjej kashta pas korrjes së grurit.

“QTTB Lushnjë, në fushën e saj të veprimtarisë bashkëpunon me ente publike dhe private. Në këtë kuadër, bazuar në kërkesat e Prokurorisë /Policisë së Shtetit, kryen për llogari të hetimeve të tyre mbjelljen e farërave të bimëve të dyshuara si bimë narkotike. Bimët në fjalë janë mbjellë sipas kërkesës së tyre më shkresën numër 369, datë 4.05.2021. Kjo formë e bashkëpunimit është e hershme dhe e vazhdueshme midis QTTB-ve dhe Prokurorisë/Policisë, në funksion të evidentimit të farërave të dyshuara nëpërmjet mbjelljes dhe rritjes deri në një fazë të caktuar” thuhet në sqarimin e ministrisë.

Më tutje ministria ka bërë të ditur se ‘ që nga vitit 2010 kjo procedurë bëhet sipas një protokolli të përcaktuar qartë, që fillon nga marrja në dorëzim e farërave, mbjellja e tyre, shërbimet dhe dorëzimi i bimëve sipas dokumentacionit përkatës. Për mbjelljen e këtij numri të kufizuar bimësh shfrytëzohen të njëjtat ambiente që përdoren edhe për kultivimin e bimëve të tjera”.