Arbëri

Petkoviqi viziton Kosovën me lejen e MPJD-së

Descriptive Text

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq do të qëndroj të hënën dhe të martën (12-13 korrik) për vizitë në Kosovë.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë (MPJD) në Kosovë kanë thënë për KosovaPress se Petkoviq ka bërë kërkesë për lejimin e vizitës në Kosovë bazuar në marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2014 në Bruksel.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka aprovuar kërkesën për lejim të vizitës në Republikën e Kosovës për zyrtarin serb Petar Petkoviq, për datat 12-13 korrik 2021. Kërkesa është bërë bazuar në Marrëveshjen për vizitat zyrtare, e nënshkruar në vitin 2014, në Bruksel”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Nga MPJD theksojnë se Petkoviq është i obliguar që të respektoj protokollin dhe agjendën si dhe t’iu përmbahet deklamimeve politike, gjuhën nxitëse dhe retorika kundër Kosovës.

“Zyrtari në fjalë është i obliguar që të respektoj protokollin dhe agjendën, dhe njëkohësisht të përmbahet nga deklarimet politike, gjuha nxitëse dhe retorika kundër Kosovës”, thonë nga MPJD.

Sipas MPJD-së çdo veprim kundër protokolleve do të ndikojë që MPJD të refuzojë kërkesat e radhës nga Serbia.

“Çdo tejkalim i këtyre rregullave, do të ndikojë që MPJD-ja të refuzojë kërkesat e radhës nga Serbia”, përfundon përgjigja e MPJD-së.

Petar Petkoviq do të marrë pjesë në një akademi të organizuar në “Shtëpinë e Kulturës”, me rastin e shënimit të 30 vjetorit të themelimit të Komunës së Zveçanit.