Arbëri

Fëmijët me nevoja të veçanta vuajnë mungesën e asistentëve profesionalë

Descriptive Text

Shkollat në Kosovë vazhdojnë të përballen me mungesë të asistentëve profesionalë për fëmijët me nevoja të veçanta. Si pasojë, prindërit po detyrohen që vetë t’i paguajnë asistentët në mënyrë që fëmijët e tyre të vijojnë mësimin bashkë më fëmijët e tjerë

Shkollat në Kosovë po vazhdojnë të përballen me infrastrukturë jo të përshtatshme, si dhe me mungesë të asistentëve profesionalë e mësuesve mbështetës, për fëmijët me nevoja të veçanta.

E për këtë shkak, shpeshherë prindërit po detyrohen që t’i paguajnë vetë asistentët profesionalë për fëmijët e tyre.

Leonora Shabani-Bajraktari, asambliste në Kuvendin Komunal të Prishtinës, njëherësh bashkëthemeluese e organizatës “Down Sindrom Kosova”, ka treguar për barrierat që hasin prindërit për t’iu siguruar fëmijëve asistencë profesionale.

“Fëmija im, edhe pse e kam integruar në shkollimin e rregullt, është dashur unë të paguajë asistentin për fëmijën tim, e që është një barrë goxha e rëndë për familjet që kanë fëmijë me nevoja të veçanta”, ka thënë Shabani-Bajraktari.

Ajo ka shtuar se është duke u punuar që të shtohet numri i asistentëve, por nuk ka treguar se sa buxhet duhet.

“Çdo vit do të punësohen nga 100 asistentë, është një numër i madh i fëmijëve me nevoja të veçanta, janë 42 mijë fëmijë me nevoja të veçanta dhe vetëm 5000 fëmijë janë të integruar në shkollim”, ka thënë ajo.

Ministria e Arsimit ka konfirmuar se do ta shtojë numrin e asistentëve dhe mbështetësve profesionalë.

“Në përgjithësi në shkolla mungojnë profesionistët që adresojnë nevojat e nxënësve me nevoja të veçanta, pasi që në shumicën e shkollave nuk ka psikologë, mësues mbështetës, asistentë dhe mungojnë shërbimet rehabilituese të cilat ofrohen nga sektori i shëndetësisë. Janë të punësuar 86 asistentë për nxënësit me nevoja të veçanta dhe 38 mësues mbështetës. Të gjithë janë të kualifikuar për të punuar dhe adresuar nevojat individuale të nxënësve me nevoja të veçanta. Në vitin 2021 do të punësohen 100 asistentë të rinj, ndërsa për 4 vjetët e ardhshëm planifikohet punësimi i rreth 400 asistentëve të cilët do t’i ndihmojnë shkollat, nxënësit dhe prindërit që kanë fëmijë me nevoja të veçanta në mësimnxënie. Asistentët janë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, përfshirë edhe kopshtet, andaj varet nga ekipi vlerësues pedagogjik në komunë të cilët bëjnë vlerësimin e nevojave individuale të fëmijëve. Pra, ekipi vlerësues pedagogjik në DKA vendos se cili fëmijë duhet të këtë asistent, pavarësisht nivelit, përfshirë edhe kopshtet”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t për KOHËN.

MASHTI ka paralajmëruar për katër vjet 400 mbështetës e asistentë profesionalë, por numri i fëmijëve me nevoja të veçanta shkon mbi 42 mijë.