Arbëri

Presidentja kërkon ndihmë shtesë nga EULEX-i, njohësit bëjnë thirrje për kujdes

EULEX

Ekspertizë, shërbime këshilluese e ndihmë financiare, ka kërkuar presidentja Vjosa Osmani që t’u ofrohen institucioneve të Kosovës në bazë të nevojës, nga institucionet e Bashkimit Evropian, përfshirë këtu edhe misionin e EULEX-it. Derisa nga Zyra e Presidentes nuk kanë dhënë detaje shtesë për arsyet që kanë çuar në kërkesat e tilla, nga EULEX-i i kanë mirëpritur dhe kanë thënë se do të punojnë në plotësimin e tyre.

Kërkesa shtesë për institucionet e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe EULEX-in, i ka drejtuar presidentja Vjosa Osmani përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell.

Në letrën përmes së cilës Osmani e ka njoftuar Borellin për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, ajo ka propozuar që në bazë të nevojave të institucioneve në vend të ofrohet ndihmë në çështjet që lidhen me drejtësinë.

Detaje lidhur me kërkesën e presidentes nuk kanë pranuar të shpalosin nga zyra e saj, të cilët kanë kërkuar që t’i referohemi komunikatës për këtë çështje.

Por as në komunikatën e Presidencës e as në letrën drejtuar Borrellit nuk ka ndonjë informacion shtesë.

“Presidentja Osmani ka propozuar që me kërkesë dhe bazuar në nevojat e identifikuara nga institucionet e Republikës së Kosovës - institucionet e BE-së të ofrojnë ekspertizë, shërbime këshilluese, si dhe ndihmë financiare, në çështjet që lidhen me proceset e reformës në drejtësi. Po ashtu, Presidentja Osmani ka ftuar EULEX-in për mbështetje teknike e këshillëdhënëse në çështjet që derivojnë nga Konventa e Stambollit për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, thuhej në letër.

Kërkesat e presidentes Vjosa Osmani janë mirëpritur nga EULEX-i. Në një përgjigje me shkrim, nga ky institucion thonë se do të vazhdojnë të punojnë në përmbushjen e këtyre kërkesave e në mbështetjen e institucioneve.

“Ne e mirëpresim faktin që Presidentja në letrën e saj të ftesës ka përshkruar përparësitë e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe pritjet nga EULEX-i. Kjo është shumë e mirëpritur dhe lejon Misionin të përqendrojë punën dhe angazhimin tonë për të pasqyruar përparësitë e Kosovës në procesin e reformës në drejtësi. Ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për të përmbushur këto kërkesa dhe do të vazhdojmë mbështetjen tonë për institucionet e sundimit të ligjit të Kosovës për të çuar përpara agjendën tonë të përbashkët për ta bërë sistemin e drejtësisë të arritshëm për të gjithë dhe të besueshëm për publikun. Ne kemi një partneritet të fortë për drejtësinë që nga viti 2008, i cili është në interes të Kosovës, Bashkimit Evropian dhe Shteteve Anëtare të saj, si dhe vendeve që po kontribuojnë në mision, do të thotë Shtetet e Bashkuara, Kanada, Norvegji, Zvicër dhe Turqi”, ka thënë Zyra për Informim Publik e EULEX-it.

Por njohës të drejtësisë thonë se institucionet duhet të kenë kujdes në kërkesat që i bëhen misionit të EULEX-it.

Sipas Ehat Miftarajt, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vazhdimi i mandatit të EULEX-it varet nga Gjykata Speciale, derisa ndryshimi i tij nuk do të përkrahej nga shtetet e Bashkimit Evropian.

“Do të ishte një kthim mbrapa për Republikën e Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës përmes së cilës dëshmojnë se institucionet e drejtësisë, Republika e Kosovës nuk mund të bëjë asgjë vetë, por gjithmonë i duhet ndihma e dikujt”, ka thënë ai.

Në qershor të këtij viti EULEX-it i është vazhduar mandati edhe për një vit.