Arbëri

Ministrat i prijnë fushatës për vaksinim me Astra Zeneca

Descriptive Text

Ministrat e Qeverisë së Kosovës, janë vënë në ballë të fushatës për të bindur qytetarët të marrin vaksinën anti-Covid, Astra Zeneca.

Të paktën dy prej tyre e kanë marrë sot këtë lloj vaksine, e njëri ka paralajmëruar se do ta marrë në orën 16:00.

Mes të vaksinuarve sot, është edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai, pranoi se afati i vaksinave Astra Zeneca, të dhuruara nga Norvegjia, është i shkurtër, një pjese i skadon më 31 korrik e pjesës më të madhe më 31 gusht.

Kjo “fushatë” e ministrave për “të promovuar” vaksinën britanike, që në muajt e kaluar është përcjell edhe me dyshime në botë për mpiksje gjaku, vjen disa ditë pasi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ngriti dyshime mbi afatin e përdorimit të këtyre vaksinave të dhuruara nga Norvegjia.

Gjithsej janë 182 mijë.

Vitia i ka quajtur dashakëqij ata që kanë folur për vaksinat dhe afatin e tyre.

“Disa individë të papërgjegjshëm kanë bërë fushata dezinformuese. Efektet e mundshme anësore deri tash me mbi 200 mijë doza të dhëna, janë shumë të vogla në krahasim me të mirat e vaksinës”, ka thënë Vitia pas vaksinimit me Astra Zeneca.

Pos tij, këtë të enjte është vaksinuar me Astra Zeneca edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kurse ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar se këtë do ta bëjë në orën 16:00.

“Sot në ora 16:00 do të jem në sallën ‘1 Tetori’ për të marrë dozën e parë të vaksinës të llojit AstraZeneca, e aprovuar nga OBSH-ja. Ftoj të gjithë qytetarët që plotësojnë kriteret e vendosura nga MSh-ja, të aplikojnë dhe të vaksinohen pasi kjo do të përshpejtojë normalizimin e jetës sonë”, ka shkruar Sveçla.

Me mesazh inkurajues për vaksinën Astra Zeneca, ka dalë edhe ministrja Nagavci.

“Dje pasdite u paraqita në kohën e caktuar, për të marrë dozën e parë të vaksinës. Organizimi ishte i shkëlqyer, rend dhe rregull, kujdes maksimal. Pashë që disa qytetarë shprehnin shqetësim në lidhje me vaksinën AstraZeneca kundër Covid-19. Unë u vaksinova më dozën e parë të kësaj vaksine, aplikova online si gjithë tjerët, ndoqa procedurat dhe udhëzimet dhe mora vaksinën që ofrohej e që është e aprovuar nga OBSH-ja”, ka shkruar ajo në Facebook.

Gjatë konferencës së sotme, ministri Vitia potencoi faktin se “edhe kryeministri Kurti e ka marrë këtë lloj vaksine”.

Deri në shpenzim të vaksinave të dhuruara nga Norvegjia, në qendrat e vaksinimit në Kosovë pritet të ketë vetëm vaksina të llojit Astra Zeneca, apo të paktën derisa t’iu skadojë afati.