Kontrata e nënshkruar për lobim në vitin 2018 nga Ministria e Integrimit Evropian është baza mbi të cilën e bazon Prokuroria Speciale aktakuzën kundër ish-ministres Dhurata Hoxha, shefit të prokurimit të kësaj ministrie, Fitim Mustafa, e tre ish-sekretarëve: Demush Shasha, Nuhi Osmani e Kushtrim Cukaj. Ish-ministrja Hoxha ka thënë se është plotësisht e pafajshme, ish-sekretari Shasha ka deklaruar se për këtë tender kishin kërkuar opinione ligjore nga institucionet përkatëse, ndërsa ata e kishin cilësuar si të ligjshme
Ish-ministrja Dhurata Hoxha bashkë me tre ish-sekretarët e Ministrisë Integrimeve, si dhe drejtorin e prokurimit në këtë ministri, janë pjesë e një aktakuze të përbashkët të Prokurorisë Speciale.
Ky institucion përmes një komunikate ka njoftuar se të gjithë të pandehurit akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, vepër kjo penale e kapitullit të korrupsionit.
Në njoftimin për media nuk është dhënë asnjë detaj, por KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për një kontratë në vlerë prej rresh 180 mijë eurosh, e iniciuar më 2018, kur ministre ishte Hoxha e që ka të bëjë me Shërbimet e Konsulencës Ndërkombëtare për nevojat e Ministrisë së Integrimit. Shasha ishte sekretar në kohën kur u hap procedura, por kontrata u nënshkrua nga i akuzuari tjetër Nuhi Osmani e u zbatua nga sekretari pasues, Kushtrim Cukaj. Nënshkrimin në këtë kontratë e kishte vënë edhe Fitim Mustafa, shefi i Prokurimit.
Ish-ministrja Hoxha i ka thënë KOHËS se hetuesia nuk e ka asnjë fakt ta argumentojë aktakuzën, për ngritjen e së cilës ishte njoftuar nëpërmjet mediave.
“Procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik janë respektuar në përpikëri. Asnjë institucion, as KRPP-ja, as OSHP-ja, në asnjë hap të procesit të prokurimit publik nuk kanë dhënë asnjë vërejtje. Pra, jam e pafajshme. Nuk ka asnjë keqpërdorim, nuk ka dhe as nuk do të këtë asnjë dëshmi, asnjë fakt dhe besoj shumë që në gjykatë do të provohet pafajësia ime”, ka thënë ajo.
Pjesë e aktakuzës është edhe ish-sekretari Shasha, me gjithë që thotë se ai nuk ishte pajtuar se tenderi për këtë çështje do të duhej të hapej në formën se si ishte hapur. Por për këtë thotë se kanë kontaktuar me Agjencinë Kundër Korrupsionit e Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, të cilët në mënyrë të shkruar ua kishin konfirmuar se vazhdimi i procedurave për këtë tender ishte i ligjshëm.
“Nga asnjë instancë, asnjëherë nuk jemi vënë në dijeni se ka ndonjë gabim procedural, teknik në lidhje me këtë por përkundër”, ka thënë ai.
Shasha nuk e ka mohuar që mund të këtë pasur presion për këtë tender, por që u është referuar me një tjetër term.
“Ka pasur forma të ndryshme të bindjes, por që tani ato janë të parëndësishme”, është shprehur tutje Shasha.
Për këtë kontratë nuk ishte zhvilluar procedurë e rregullt. Ministria e Integrimit Evropian kishte negociuar drejtpërdrejt me kompaninë fituese, pa publikim të procedurës. Ligji për Prokurim Publik e njeh një procedurë të tillë, por që një tender të jepet në mënyrë të negociuar e jopublike duhet të plotësohen disa kushte specifike.
-
Nga: Saranda Ramaj
-
7 korrik 2021 21:22
-
Shpërndaje në: