Arbëri

Nga sot mund të vaksinohen qytetarët në të dyzetat

Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se nga kjo e mërkurë mund të vaksinohen dhe të caktojnë termine përmes platformës e-Kosova edhe kategoria e qytetarëve të moshës mbi 40 vjeç.

“Në të njëjtën kohë termine mund të caktojnë edhe kategoritë të cilat më herët janë përfshirë në procesin e vaksinimit kundër COVID-19 si: Personat me sëmundje kronike pa dallim moshe (me dëshmi mjekësore);Qytetarët që i takojnë ndonjërit nga profesionet si: Punëtorë shëndetësorë; Mësimdhënës, Forcat e sigurisë (Policia dhe FSK), pjesëtarët e Këshillit të Sigurisë së Kosovës; pjesëtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, pjesëtarët e Autoritetit Civil të Kosovës, zjarrfikësit” është thënë në njoftimin e MSH-së.

MSH-ja gjithashtu ka bërë të ditur se “Të gjithë ata qytetarë të cilët kanë aplikuar për marrje të vaksinës nga data 29.03.2021 – 15.06.2021 dhe nuk janë kontaktuar, njoftohen se mund ta caktojnë terminin për vaksinim në platformën e-Kosova përmes llogarive të krijuara më pare”.