Arbëri

ZKA: Anëtarët e Bordit të Akademisë për Siguri u kompensuan jashtëligjshëm

Një sërë shkeljesh ka evidentuar raporti i auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditorit bërë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Njëra prej gjetjeve ishte kompensimi i parregulltë i stafit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave jashtë orarit të punësim ndërrimeve të natës dhe festive.

“Mjetet në vlerë 179,424€, të ndara me buxhet për zjarrfikësit për pagesën e orëve shtesë, ndërrimeve të natës dhe festave, ishin shpërndarë me aprovim të Drejtorit të AME-së dhe ZKF-së në mënyrë proporcionale për të gjithë stafin e AME-së (71 zjarrfikës dhe 107 staf tjetër). Si rrjedhojë i gjithë stafi kishte përfituar kompensim në vlerë 960€ (bruto) në pagën e muajit mars të vitit 2020. Shuma e kompensimit për stafin që nuk janë zjarrfikës përfshirë edhe kontributin e punëdhënësit ishte 107,856€. Për këtë vlerë nuk është ofruar ndonjë dëshmi që e arsyeton shpenzimin e ndodhur për mbajtjen e orëve shtesë, punën në ndërrimin e natës apo punën gjatë festive” thuhet në raportin e auditimit.

Auditori kishte vërejtur shkelje edhe sa i përket prezantimit të detyrimeve kontigjente.

“Detyrimet kontingjente (6,918,708€) të prezantuara në nenin 18 në Raportin Vjetor Financiar për vitin 2020, nuk ishin të sakta për shkak se vlera financiare 789,179€, e shpalosur si detyrim kontingjent, nuk ishte e mbështetur me dëshmi. Më tutje, një padi e cila ishte bërë në vlerë 100 euro, në listën e detyrimeve kontingjente dhe PFV ishte raportuar në vlerë 100,000€ dhe në rastin tjetër padia në vlerë 37,967 euro, në listën e detyrimeve kontingjente dhe PFV ishte raportuar në vlerë 379,678 euro” thotë ky raport i auditimit.

Regjistrim jo  i duhur i pasurive kapitale dhe jo kapitale, dobësi në menaxhimin e pasurive janë shkelje të tjera që ka evidentuar auditori.

Ky auditim vë në pah se në kundërshtim me rregulloren ishin përcaktuar kompensimet në baza mujore, 100 euro për kryesuesin dhe nga 70 euro për dy anëtarët.

“Me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së ishte caktuar sekretaria e bordit që përbëhet nga zyrtarët të AKSP-së (anëtarët e caktuar në sekretari të bordit ishin staf i rregullt me kontratë në AKSP). Po ashtu me këtë vendim ishin përcaktuar kompensimet në baza mujore, 100€ për kryesuesin dhe nga 70€ për dy anëtarët. Këto kompensime nuk ishin në pajtim me “Rregulloren nr.06/2013 për Bordin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike” e cila nuk parasheh kompensim për shërbime të tilla. Vlen të theksohet se me datën 03.12.2020, AKSP kishte shfuqizuar vendimin që kishte përcaktuar kompensimet e tilla. Vlen të theksohet se me datën 03.12.2020, AKSP kishte shfuqizuar vendimin që kishte përcaktuar kompensimet e tilla” thotë raporti më tutje.

Auditori gjithashtu kishte evidentuar shkelje në një kontratë publike kornizë. “AKSP me 13.06.2019, kishte lidhur kontratën publike kornizë (me një operator ekonomik, procedurë e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë) “Shërbimet e përgatitjes dhe furnizimit me ushqim për nevojat e AKSP-së “. Vlera totale indikative e kontratës publike kornizë ishte 206,394€. Ne kemi identifikuar se AKSP gjatë periudhës 2019-2020 kishte bërë pagesa në vlerë 660,328€, duke bërë tejkalimin e vlerës së kontratës për 392,016€, mbi normën e lejuar 30%. Vlera totale indikative e kontratës 206,394€, plus 30% (61,919€), gjithsej shuma e lejuar për pagesë 268,312 euro” thotë raporti i auditorit.