Arbëri

30 gjyqtarë parashihet të punojnë në Gjykatën Komerciale pas 12 muajve të trajnimit

Projektligji për Gjykatën Komerciale është duke u shqyrtuar në Kuvendin e Kosovës. 

Kjo gjykatë do të ketë kompetenca për të gjykuar kontestet ndërmjet shoqërive tregtare vendore dhe të huaja, njohjen dhe lejimin e zbatimit të vendimeve të arbitrazhit vendor dhe ndërkombëtar, kontestet gjyqësore që rrjedhin nga Ligji në fuqi për Shoqëritë Tregtare, kontestet që lidhen me shkeljen e konkurrencës e keqpërdorimit ose monopolit.

Projektligji parasheh se Gjykata Komerciale do të ketë dy shkallë.

Me lëndët që hyjnë në këtë fushë, KOHA merr vesh se do të angazhohen 30 gjyqtarë. Porse, fillimisht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të emërojë kryetarin e parë të Gjykatës, mandati fillestar i të cilit do të jetë pesëvjeçar.

Ndërkaq emërimi i gjyqtarëve do të bëhet pas rekrutimit të administratorit e këshilltarit ligjor.

“Emërimi i gjyqtarëve për dhomat e shkallës së parë dhe dhomat e shkallës së dytë do të fillojë pas përfundimit të procedurave të parapara në nenin 35. Do të ndiqet një procedurë për rekrutimin e gjyqtarëve për Gjykatën Komerciale në përputhje me procedurat e përcaktuara nga KGJK-ja”, thuhet në projektligj.

Të njëjtët gjyqtarë pas emërimit do t’i nënshtrohen trajnimit të detyrueshëm fillestar 12-mujorë për të drejtën komerciale.

“Trajnimi fillestar për gjyqtarët do të zgjasë dymbëdhjetë (12) muaj, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi, nga i cili një periudhë minimale prej gjashtë (6) muajsh do t'i kushtohet trajnimit të detyrueshëm fillestar për të drejtën komerciale”, thuhet tutje në projektligj.

Kompensimi i gjyqtarëve të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale do të jetë i njëjtë me ata të gjykatave themelore, ndërkaq për gjyqtarët e shkallës së dytë do të jetë i barabartë me gjyqtarët e Apelit.

Dhomat e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale do të përbëhen nga katër departamente, ai për çështje ekonomike, fiskale, administrative dhe të përgjithshme.

Dhomat e shkallës së dytë shqyrtojnë dhe gjykojnë rastet në kolegje të përbëra prej tre (3) gjyqtarëve.

Projektligji po ashtu parasheh që brenda dy muajve të transferohen të gjitha lëndët e kësaj natyre nga Gjykatat Themelore në atë Komerciale, pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Sipas projektligjit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, procedurat e përmbarimit, arbitrazhit dhe falimentimit do të jenë disa prej prioriteteve të Gjykatës Komerciale.

Gjatë së martës, Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për këtë gjykatë dhe mori përkrahjen edhe të opozitës.