Arbëri

6 muaj pritje për ekstradimin e shqiptarit të dënuar për trafikim droge në Itali

Në janar të këtij viti Policia e Kosovës arrestoi Astrit Limanin, një shtetas i Shqipërisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim droge nga autoritetet italiane.

Arrestimi i tij, i cili u krye në pikën kufitare të Vërmicës, u bë me qëllim ekstradimi për në Itali, pasi Limani është i dënuar me 10 vjet burgim për trafikim me drogë në Itali.

Ligji për bashkëpunim juridik parasheh që procesi i ekstradimit të kryhet brenda 45 ditësh, mirëpo edhe pse kanë kaluar 6 muaj shtetasi i Shqipërisë po mbahet në paraburgim në Kosovë.

Ministria e Drejtësisë thotë se mbajtja është e ligjshme, derisa mbrojtja është duke pretenduar të kundërtën.

“Së pari ju ka caktuar paraburgimi prej 40 ditësh sipas Ligjit për bashkëpunim juridik në çështje penale. Pas kalimit të këtij afati dhe plotësimit të kërkesës të cilat janë shtruar nga Italia, gjykata ka sjellë vendimin për lejimin e ekstradimit të tij, i cili dyshohet për vepra penale të trafikimit me narkotikë prej 10 vjetësh. Mirëpo në ndërkohë MD ka sjellë vendimin për lejimin e ekstradimin me datë 23 mars, brenda këtij afati sipas dispozitave ligjore afti për dorëzimin e personit është 30 ditë në raste të jashtëzakonshme nëse paraqiten pengesa, atëherë në bazë të kërkesë së shtetit kërkues shteti tonë, shtetin jonë ia lejon atij edhe 15 ditë. Nëse brenda këtyre afateve nuk janë kryer procedurat e ekstradimit, atëherë gjykata është e obliguar që të pandehurin ta lirojë nga paraburgimi”, ka deklaruar Mahmut Halimi, avokat i Astrit Limanit.

Të dhënat e siguruara nga KOHA tregojnë se procedura e ekstradimit ka përfunduar në të gjitha shkallët e gjykatës dhe me një vendim të ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu, me datë 24 mars është lejuar ekstradimi i Limanit për në Itali.

Sipas ligjit, vendimi i ministres është vendimi i fundit për fazën e ekstradimit, por Halimi thotë se Limani nuk u transferua në Itali edhe kur autoritetet italiane erdhën ta kryenin ekstradimin.

“Para një muaji kanë ardhur organet e Italisë me e ekstradua, kanë kërkuar testin e Covidit, Kosova s’e ka bërë dhe ata kanë thënë se pa test nuk e marrin. Gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorit që t’i kryhet ekzaminimi dhe praktikisht klienti im më tepër se dy muaj po mbahet në mënyrë të kundërligjshme”, ka shtuar avokati Halimi.

Ndërsa në një përgjigje për KOHËN, MD-ja ka thënë se mbajtja e shtetasit në burg është duke u kryer konform procedurave ligjore, dhe ekstradimi është penguar nga situata e pandemisë.

Kjo ministri ka konfirmuar se ka pasur përpjekje nga autoritetet italiane për ta ekstraduar atë, por se nuk kanë dhënë detaje se përse ai nuk është lejuar.

“Duke u bazuar në situatën me pandemi që gjenden Evropa dhe Ballkani Perëndimor dhe në nenin 14, paragrafi 4 të Traktatit Dypalësh për Ekstradim me Italinë, në këtë situatë nuk ka afat të përcaktuar. Nuk ka pasur pengesë ligjore për ekstradimin e tij. Nuk janë tejkaluar dhe këtë Gjykata e ka konstatuar me vendimin e saj. Patjetër që ka pasur përpjekje, por janë çështje operacionale me organizimin e të cilave merren ministritë e Punëve të Brendshme për të cilat nuk jepen detaje’, thuhet nw pwrgjigjejn e Ministrisw sw Drejtësisë.

Gjykata Themelore në Prizren, e cila që nga janari i këtij viti ia ka caktuar masën e paraburgimit Limanit, ka bërë të ditur se ka përfunduar të gjitha procedurat për ekstradimin e Limanit për në Itali.

KOHA ka pritur disa ditë përgjigje nga Ambasada e Italisë në Kosovë lidhur me ekstradimin e Limanit, por nuk ka marrë përgjigje.

E përgjigje nuk ka dhënë as Ambasada e Shqipërisë në Kosovë.

Ndërsa mediat në Shqipëri disa herë kanë raportuar se si i kërkuari për trafikim me drogë ishte arrestuar edhe në Shqipëri në vitin 2019, me kërkesë të autoriteteve në Itali dhe më pas ishte liruar.