Arbëri

Ministri serb fyen presidenten e Kosovës: Me pasë fytyrën siç e ka barkun

Foto: REL

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka fyer presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai është marrë me një deklaratë të presidentes Osmani, dhënë për revistën “Der Spiegel” dhe si “kundërpërgjigje” e ka fyer duke u marrë me fizikun e saj.

“Nëse Osmani do të kishte fytyrë siç e ka barkun, për gënjeshtrat që thotë, gjatë do të përkulej para ‘shtëpisë së verdhë’”, ka thënë Vulin, përcjell B92.

Vulin nuk është hera e parë që fyen politikanët shqiptarë dhe shqiptarët në përgjithësi.

Në fakt, ai ka nxjerr nga konteksti deklaratën e Osmanit. Ajo nuk ka thënë se pret që Serbia të bie në gjunjë, për çka ka reaguar Vulini.

“E kam zgjedhur nocionin gjenocid me vetëdije. Ai përshkruan qëllimin e një vendi për të shfarosur një komb. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur në Kosovë. E kam fjalën për ngjarjet në Mejë, e njohur si ‘Srebrenica e Kosovës’, dhe në Poklek, ku jo vetëm janë vrarë 54 fëmijë dhe plaka, por pastaj edhe janë djegur. Qëllimi ka qenë që të zhduken nga faqja e dheut. Willy Brandt ka thënë njëherë se kur mungojnë fjalët, duhet rënë në gjunjë. Pikërisht këtë e presim nga Serbia: rënien në gjunjë”, ka thënë Osmani, si përgjigje për gazetarin që insistoi të dijë pse po e përdor termin gjenocid për krimet që ka kryer Serbia.