Arbëri

PDK-ja akuzon Gërvallën për një skandal tjetër diplomatik

Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, për skandal të radhës diplomatik, pasi sipas tij, nuk ia uroi drejtpërdrejtë SHBA-së Ditën e Pavarësisë.

Gjoshi thotë se ‘’edhe kur flet, por edhe kur hesht, kjo ministre është skandaloze’’.

‘’Ndodhi për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës dhe i kalon kufijtë e skandalit diplomatik. Ministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Schwarz, në Qeverinë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, nuk ia ka uruar Shteteve të Bashkuara të AmerikësDitën e Pavarësisë, 4 korrikun. Donika Schwarz nuk ka bërë asnjë urim të drejtpërdrejtë për aleatin strategjik, por është mjaftuar vetëm me një rishpërndarje të postimit në Twitter të MFA Kosovo, asaj faqes që bënte postime skandaloze’’, ka shkruar Gjoshi në Facebook.

Gërvalla në rrjetin social Twitter rishpërndau postimin e Ministrisë së Jashtme që i uronte Ditën e Pavarësisë SHBA-së.

Image

Kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca uruan të dielën SHBA-në për Ditën e Pavarësisë përmes rrjeteve sociale në profilet e tyre zyrtare.

PDK-ja kishte nisur qysh moti akuzat për ministren e Jashtme, Donika Gërvalla. Madje, partia më e madhe opozitare i kërkoi kryeministrit Kurti ta shkarkonte Gërvallën nga detyra e saj, për siç pretendonin ata, se ajo ka ‘’fyer luftën e UÇK-së, viktimat e luftës e të dhunuarit’’. PDK-ja e akuzoi edhe për skandale të tjera diplomatike, siç ishte mungesa e flamurit amerikan në takimin me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Matthew Palmer.