Arbëri

Zgjatet afati i paraqitjes së kandidaturave në VV, Bahtiri i hyn garës

Foto: Koha / ilustrim

Tri ditë kanë pasur kohë anëtarët e interesuar të Lëvizjes Vetëvendosje t’i paraqesin kandidaturat për kryetarë të komunave.

Ora 17:00 e së shtunës ka qenë afati i fundit për aplikim, por organet e partisë e kanë zgjatur afatin deri të hënën.

Arsyet e këtij vendimi Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka treguar të dielën për KOHËN, siç ka vepruar edhe me numrin e anëtarëve të interesuar për të qenë kandidatë.

Ditë më parë Albin Kurti ua tërhoqi vërejtjen anëtarëve të partisë së tij që t’i ndalin fushatat negative, vetëkandidimet pompoze dhe pretendimet për mbështetje selektive nga organet qendrore të Vetëvendosjes.

E garë e nxehtë është paralajmëruar të zhvillohet për përzgjedhjen e kandidatit për kryetar të Mitrovicës.

Kryetari aktual, Agim Bahtiri, ia ka konfirmuar KOHËS se ka paraqitur zyrtarisht kandidaturën edhe për një mandat.

Pas thirrjes së Kurtit, Bahtiri është treguar i kujdesshëm lidhur me rivalitetin e brendshëm sa i përket kandidimit.

“Unë nuk po them asgjë për arsye se tash është jo e logjikshme me hyrë në garë që të them diçka, por që nuk është koha ime për të thënë diçka, por është koha e delegatëve për të thënë ata të cilët mendojnë atë që është më e mira”, ka thënë ai.

Personi që mund ta sfidojë Bahtirin për të marrë statusin e kandidatit është Armend Muja. Deputeti i Vetëvendosjes ka lënë të hapur mundësinë që t’i hyjë garës.

“Nuk mund ta përcaktoj saktësisht, po mendoj, sepse nuk është një vendim që merret individualisht por ai merret prej strukturave dhe në konsultim me strukturat e subjektit politik. Deri në këto momente unë nuk kam paraqit”, ka thënë Muja.

Vendimmarrjen brenda partisë, Vetëvendosje vazhdimisht e vlerëson si demokratike, por të tillë nuk e përshkruan edhe Artan Krasniqi, i cili kishte shfaqur ambicie për të qenë kandidat për Vushtrrinë.

Ai tha se kundërshtimet brenda organizatës e bënë atë të tërhiqet që t’i hyjë garës për këtë komunë.

Ndërsa garë e fortë pritet të zhvillohet edhe në Prizren, komunën e dytë më të madhe në vend.

Si kandidatë të mundshëm për kryeqytetin historik, në opinionin publik janë përmendur emra edhe nga lista “Guxo” me të cilën LVV-ja synon të garojë bashkë në zgjedhjet komunale të 17 tetorit.

Kjo parti është e vetmja prej subjekteve politike që akoma nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat për kryetar komune.