Arbëri

MSH-ja demanton Haxhiun: Vaksinat nga Norvegjia kanë afat të mjaftueshëm përdorimi

Descriptive Text

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate ka bërë të ditur se të gjitha vaksinat anti-COVID, përfshirë edhe ato që janë marrë nga Norvegjia, kanë afat të mjaftueshëm përdorimi.

‘’Ministria e Shëndetësisë i siguron qytetarët e Republikës së Kosovës se të gjitha vaksinat kundër COVID-19, të cilat janë duke u dhënë në Kosovë, përfshirë edhe ato që janë marrë këtë javë donacion nga Mbretëria e Norvegjisë kanë afat të mjaftueshëm përdorimi dhe i kanë kaluar të gjitha procedurat e aprovimit për përdorim të sigurt’’, thuhet në komunikatën e MSH-së.

Reagimi i MSH-së erdhi pas deklaratave të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili insistoi të shtunën se vaksinat e ardhura nga Norvegjia si donacion janë me afat të skaduar.

‘’Dezinformatat lidhur me afatin e përdorimit për vaksinat e pranuara nga Mbretëria e Norvegjisë, të bëra nga individë të ndryshëm, përveç që shkaktojnë pasiguri tek qytetarët në këtë kohë kur vaksinimi kundër COVID-19 ka fituar një dinamikë intensive, flasin edhe për mungesën e respektit ndaj donatorit - shtetit të Norvegjisë’’, thuhe tutje në sqarimin e MSH-së.

Në fund, Ministria e udhëhequr nga Arben Vitia u bëri thirrje qytetarëve që aplikojnë për vaksinim në platformën ekosova.

Të shtunën, Ministria e Shëndetësisë pranoi 182.900 vaksina ''AstraZeneca'' si donacion nga Norvegjia.