Arbëri

Partitë akuzojnë njëra-tjetrën për zvarritje të liberalizimit të vizave

Deputetet e Kuvendit të Kosovës, njëherësh anëtaret e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë e kanë cilësuar si shumë të padrejtë situatën në të cilën gjendet Kosova sa i përket liberalizimit të vizave, raporton Ekonomia Online.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se shtetet anëtare të BE-së akoma nuk janë të bindur se Kosova ka kryer punët dhe detyrimet e saj. Ajo ka thënë s puna kryesore e Qeverisë Kurti është ndryshe nga qeveritë e kaluara sidomos në këtë drejtim.

“Tani si Qeveri e re dhe si parlament i ri e kemi për qëllim dhe jemi të angazhuar në gjitha shtetet e Bashkimit Evropian që ti bindim se Kosova ka plotësuar kriteret dhe se Kosova ka një Qeveri të re dhe është e fokusuar që ta zhvillojë vendin, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe në këtë mënyrë ne e meritojmë liberalizimin e vizave tani. Kështu që ne po punojmë që t’i bindim shtetet anëtare”, është shprehur Pacolli.

Pacolli ka theksuar se qytetarët e kanë kuptuar padrejtësinë që po u bëhet kundrejt kësaj çështjeje dhe se shumë shpejtë do t’i bindin ndërkombëtarët se qasja e tyre është e padrejtë.

“Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se është e padrejtë ajo që po ju bëhet karshi edhe nga BE-ja, për shkak të mos liberalizimit të vizave për Kosovën. Ne po bëjmë punën tonë dhe tashmë vendimi varet nga ata se çfarë themi ne dhe sidomos çfarë bëjmë. Ne jemi shumë të kujdesshëm dhe çdo vendim që ne marrim është në përputhje me vlerat e BE-së, luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe kjo shihet edhe në praktikë duke arritur që në këtë mënyrë shumë shpejtë ti bindim ata që ne e meritojmë liberalizimin e vizave, dhe është shumë e padrejtë mënyra se si po na qasen ata neve”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, është opozita ajo e cila e ka sjell Kosovën deri në këtë pikë, dhe që ka mashtruar qytetarët me data të pavërteta.

Kurse deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se Qeveria Kurti po hesht në çështjen e liberalizimit të vizave dhe nuk ka ndonjë strategji të veçantë.

“Ne si shtet që nga viti 2016, atëherë kur komisioni evropian e ka dhënë miratimin e tyre për liberalizim të vizave, mirëpo ne e dimë që problem kryesor janë shtetet të cilat hezitojnë ta shtyjnë përpara këtë proces. Qeveria Kurti po e shohim se ka një heshtje në këtë drejtim, sepse ata do duhet të kenë një strategji të veçantë për këto vende të cilat janë njohëse të Kosovës, andaj duhet të ketë një strategji të veçantë që të shtyhet përpara ky proces”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Sipas saj, Qeveria Kurti pikërisht me premtimin e çështjes së liberalizimit të vizave i ka fituar votat e që një gjë të tillë nuk e ka realizuar akoma.

“Qeveria Kurti, premtim me të cilin ka fituar vota ka qenë se do ta kthejë ministrinë e integrimit, pra do duhej të ishte kjo ministri adresa e parë e shteteve të BE-së karshi Kosovës, e që një gjë të tillë nuk e ka realizuar. Mendoj që duhet të ketë një ministri të integrimeve, ashtu siç ka qenë me punë kryesore integrimin e Kosovës në BE, shumë nga të huajt janë pro liberalizimit të vizave, por që duhet të kemi një qeveri aktive në këtë drejtim që të shtyjmë përpara këtë proces. E kuptoj me shumë të drejtë sepse edhe unë jam qytetare e këtij vendi dhe mund ta di se sa është e vështirë aplikimi për vizë, e posaqërisht tani në këtë periudhë, mirëpo si opozitë ne jemi vazhdimisht duke jap propozime, dhe duke provuar që të shtyejmë proceset përpara drejt liberalizimit të vizave, por që është në dorën e qeverisë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj ka thënë se është hera e parë që kryeministri Albin Kurti, por edhe deputetët e tjerë e kanë pranuar më në fund se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.

“Është një padrejtësi dhe ne si deputetë duhet të avokojmë si anëtare të Komisionit për Punë të Jashtme, sepse ne pavarësisht se a jemi pozitë ose opozitë qëndrimet tona karshi temave të mëdha siç është dialogu dhe çështja e liberalizimit të vizave, duhet të kemi një qasje ndryshe dhe të lobojmë për të mirën e Kosovës. Qytetarët e Kosovës, tashmë e kuptojnë se kemi përmbushur të gjitha ato kushte dhe kritere dhe nuk është në dorën e asnjë qeverie, dhe as të kësaj për procesin e liberalizimit të vizave, dhe kjo është një padrejtësi”, ka thënë Kadriaj.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon pas vizitës disa ditore në Kosovë ka thënë se institucionet i kanë përmbushur të gjitha kriteret prandaj i takon BE-së t’u përmbahet zotimeve./EO