Arbëri

Hajdari: Prioritet rritja e investimeve dhe prodhimtarisë, sfidë sektori i naftës

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka listuar pesë prioritete që synon t’i arrijë gjatë mandatit 4-vjeçar. Ofrimi i ofertës turistike kosovare për turistët evropianë dhe në botë mbetet një prej tyre.

Ministrja Rozeta Hajdari flet për kontratën për markimin e karburanteve, kontratë për të cilën kanë nisur hetimet e që rrezikon që Kosovën ta dërgojë në arbitrazh. Po ashtu, ajo shprehet se po tentojnë që të rrisin kapacitetet inspektuese.

Rritja e investimeve, prodhimtarisë dhe eksporteve mbeten ndër prioritetet e para të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Veç këtyre, ministrja Hajdari theksoi se mbetet shumë punë për të bërë për ngritjen e imazhit për investime në Kosovë. Teksa ka shtuar se kanë në prioritet edhe investimet e reja në kompleksin turistik në Brezovicë, për të tërhequr më shumë turistë nga Ballkani dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Ministrja e MINT, Hajdari në një intervistë për KosovaPress thekson se pesë prioritetet e saj me programin qeverisës mbeten për përmirësimin e klimës së të bërit biznes, rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat, nxitja e investimeve dhe përmirësimin e bilancit tregtar.

“Në planin e qeverisë që është me parimin kryesor dhe konceptet kryesore ‘Punësim dhe drejtësi’ ne iu kemi përshtatur platformës dhe programit qeveritar me pesë prioritete strategjike në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Prioriteti i parë përfshinë përmirësimin e të bërit biznes, dhe rritjen e konkurrushërmisë së sektorit privat. E dyta është për zhvillimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë, zhvillimi i turizmit, pastaj përmirësimi i infrastrukturës së cilësisë dhe standardeve për produktet tona industriale si dhe nxitja e investimeve dhe përmirësimi i bilancit tregtar”, ka thënë Hajdari.

Sa i përket zhvillimit të turizmit dhe tërheqjes së turistëve të huaj, ministrja Hajdari theksoi se në planin e MINT është përfshirë edhe resori i Brezovicës.

Investimet janë të nevojshme, pasi sipas saj Kosova nuk ka ende akomodim të mjaftueshëm për turistët.

“Në planin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është përfshirë edhe resori i Brezovicës, por nuk do të mbetemi vetëm në kompleksin e Brezovicës, do të shikojmë të gjitha potencialet që Kosova i ka për zhvillimin e turizmit. Ne tani duhet të jemi pjesëmarrës ashtu siç jemi në tregun unik evropian, dhe të marrim pjesë edhe në ofrimin e ofertës turistike nga Kosova për turistët evropianë dhe në botë. Ajo që është e rëndësisë të përmendi është që ne nuk kemi ende akomodim të mjaftueshëm për turistët. Ne duhet së pari të bëjmë edhe infrastrukturën akomoduese për të investuar edhe në infrastrukturën e resorëve turistik, duke përfshirë turizmin malor, turizmin rural, turizmin pse jo edhe të artizanaleve, pse mos të lidhemi bashkë me gastronominë me verën e bukur të Rahovecit e të Suharekës që kemi”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa, kontrata ndërmjet kësaj ministrie me një kompani private për markimin e derivateve po e sfidon ministren Hajdari, për të cilën marrëveshje të arritur nga paraardhësi i saj kanë nisur edhe hetimet nga prokuroria.

Ministrja e MINT po beson se Kosova nuk do të përballet në Arbitrazh pasi sipas saj për t’iu shmangur kësaj nuk e kanë shfuqizuar Udhëzimin administrativ 09/2020 në tërësi, por pjesërisht.

Hajdari po pretendon se i njëjti udhëzim sa i përket markimit dhe monitorimit të naftës ishte nxjerrë si i jashtëligjshëm dhe pa bazë ligjore nga ish-ministri Vesel Krasniqi.

“Pikërisht që t’i shmangemi arbitrazhit nuk e kemi shfuqizuar Udhëzimin administrativ 09/2020 në tërësi, por pjesërisht. Për arsye se edhe pse ky Udhëzim administrativ 09/2020 sa i përket markimit dhe monitorimit të naftës ishte nxjerrë jashtëligjshëm, pa bazë ligjore nga ish-ministri Veseli, prandaj ne kemi pasur parasysh klauzolën në kontratë e cila përfshinë arbitrazhin, dhe në këtë rast kemi shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin administrativ 09/2020, por në të njëjtën kohë kemi njoftuar policinë dhe prokurorinë për të hetuar rastin e nënshkrimit të kësaj kontrate në mënyrë të jashtëligjshme. Hetimet kanë filluar, ne po ashtu kemi marrë edhe konsultimet e afërta me juristë, duke përfshirë edhe kabinetin tim, por edhe jashtë, duke shikuar mundësitë që ne Kosovën në asnjë herë mos të vendosim në problemet me arbitrazh, sepse ne kemi trashëguar shumë telashe sa i përket arbitrazhit”, ka thënë ajo.

Sa i përket rregullimit të tregut, ministrja Hajdari duke treguar se ka mungesë të inspektorëve, përmend se ligji i ri për inspektimet është në finalizim që sipas saj është një nga shtyllat kryesore për përmirësimin e të bërit biznes.

“Sa i përket inspektoratit të tregut që është një nga shtyllat kryesore për përmirësimin e të bërit biznes, ne nuk kemi mjaftueshëm inspektorë, por me ligjin e ri për inspektimet, ne do të mundohemi që të koordinojmë sa më shumë kapacitetet që i kemi inspektuese nga të gjithë resorët e tjerë të qeverisë, duke përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, Infrastrukturës. Po ashtu, kemi edhe aspektin tjetër të inspektorëve që sjellin të hyra, që janë ATK dhe Dogana, por këto nuk do të jenë të përfshira në ligjin për inspektime. Por, qëllimi i një ligji në koordinim të përgjithshëm është të jetë një koordinim i afërt në mes Ministrisë së Industrisë, Ministrisë së Bujqësisë sa i përket Agjencinë të Veterinarisë dhe Ushqimeve, Ministrisë së Shëndetësisë, e gjithë kjo për të mbrojtur dhe ruajtur shëndetin publik së pari, dhe e dyta për të mirë funksionuar tregun tonë”, thotë ajo.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) së fundmi ka lansuar edhe programin e granteve të përputhshme, i cili synon të përmirësojë aftësinë konkurruese të bizneseve kosovare duke kontribuuar në rritje ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës pas pasojave të COVID-19.

Projekti i financuar nga Banka Botërore parasheh 14.3 milionë që synon t’i mbështesë bizneset për konkurrueshmëri për eksport, ndërsa përmes këtij programi bizneset mund të përfitojnë nga 5 mijë deri 100 mijë euro./Kosovapress