Arbëri

Vetëm 9% e popullsisë është vaksinuar deri më tani

Vaksinimi ne Kosove

I madh ka qenë fluksi i qytetarëve mbi moshën 55-vjeçare për t’u vaksinuar kundër COVID-19. Për dallim nga ditët e kaluara, salla “1 Tetori” ishte e mbushur me qytetarë që kishin caktuar terminin për vaksinim. Derisa në Kosovë vetëm rreth 9% e qytetarëve kanë arritur të vaksinohen, opozita ka kritikuar institucionet në lidhje me këtë proces, duke thënë se vendi rrezikohet edhe më shumë nga variantet e reja

Letrat në të cilat paraqitet mbishkrimi i vaksinës kundër COVID-19, qytetarët që erdhën për t’u imunizuar këtë të mërkurë i shfrytëzuan për diçka tjetër. Me temperatura të larta brenda dhe jashtë objektit të sallës “1 Tetori” u ballafaqua edhe stafi që vaksinonte qytetarët. Për dallim nga ditët e kaluara, këtë të mërkurë u pa një fluks më i madh i qytetarëve që kishin ardhur për t’u vaksinuar. Niman Bardhi, koordinator i qendrës “1 Tetori”, tha se janë shtuar ekipet e vaksinimit, për t’u rritur edhe numri i terminëve për vaksinim. “Ndaj, i kemi organizuar ekipet mjekësore, t’i kemi më tepër, të gjitha këto sllote që ne i ndajmë, i ndajmë në bazë të numrit të ekipeve që kemi në dispozicion dhe pikërisht kjo situatë na lidh me atë që rrit edhe numrin e qytetarëve për të marrë terminin”, thotë ai.

Sipas Bardhit, deri në mesditë, në nivel vendi kanë arritur të vaksinohen mbi 4 mijë persona. Derisa ka thënë se të gjitha kategoritë e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë për t’u vaksinuar duhet t’i paraqesin dëshmitë e tyre. “Edhe për kategorinë e qytetarëve që pretendon të marrë një vizë për jashtë vendit, edhe atë mbi bazën e formës së aplikimit dhe ndarjen e terminit, duhet të dëshmojnë aplikacionin apo formularin që e kërkon ajo Ambasadë, ose në të kundërtën nuk mund të vaksinohen” shprehet ai.

Derisa qytetarët që gjatë së mërkurës u vaksinuan thanë se ndiheshin mirë dhe më të sigurt.

Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se personat që kanë të drejtë të vaksinohen do të jenë ata me sëmundje kronike, pa dallim moshe, qytetarët që i takojnë ndonjërit nga profesionet si: punëtorë shëndetësorë, mësimdhënës, pjesëtarë të forcave të sigurisë (Policia dhe FSK-ja), pjesëtarë të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, pjesëtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, pjesëtarë të Autoritetit Civil të Kosovës, si dhe zjarrfikës.

Por, kritika të shumta rreth procesit të vaksinimit ka bërë opozita. Izet Sadiku, infektolog në Klinikën Infektive, pjesë e LDK-së, ka thënë se duhet të vaksinohen sa më shumë persona, për shkak edhe të rrezikut nga varianti Delta. “Edhe te ne, nëse vazhdon ky trend i vaksinimit, do ta kemi një valë të re të virusit. Edhe sipas paralajmërimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri në fund të gushtit, shumica e të infektuarve në botë kanë me qenë me tipin e ri, tipin Delta, që është tip indian i virusit” thotë ai.

Gjatë së martës, në Kosovë janë konfirmuar dy rastet e para me variantin Delta, i njohur edhe si varianti indian, i cili edhe ka bërë që disa shtete tashmë ta rikthejnë ashpërsimin e masave.

Ministria e Shëndetësisë e IKSHPK-ja nuk kanë kthyer përgjigje nëse edhe Kosova do të marrë ndonjë masë shtesë si shkak i përhapjes së varianteve të reja të koronavirusit.