Arbëri

Pasuritë e majme të kryetarëve të komunave

Shumica e kryetarëve të komunave të Kosovës kanë deklaruar pasuri të majme në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Shumë prej tyre kanë deklaruar patundshmëri në vlera milionëshe dhe qindra e mijëra euro para të gatshme nëpër llogari bankare. Kanë deklaruar edhe vetura luksoze, ndërsa nuk mungojnë as detyrimet financiare. Disa prej tyre kanë deklaruar edhe tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti, si pjesë e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.

Në deklarimin e pasurisë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar 8.546 euro të gatshme, të mbajtura në institucionet financiare. Ai si kryetar merr pagë vjetore 17.510 euro, ndërsa i ka deklaruar edhe 27 mijë e 840 euro leasing dhe tërheqjen nga 10-përqindëshi i Trustit në vlerë 5.695 euro.

Kryetari i Gjilanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar rreth 1 milion e 851 mijë euro toka të trashëguara dhe një të blerë, si pasuri të paluajtshme. Para të gatshme ka rreth 119 mijë euro, derisa para të prindit dhe të bashkëshortes ka rreth 98 mijë euro. Të hyrat vjetore të të parit të Gjilanit janë rreth 15.512 euro, derisa ato të bashkëshortes dhe prindit rreth 1.700 euro.

Image

Pasuria e paluajtshme e Lutfi Hazirit

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka deklaruar rreth 420 mijë euro pasuri të paluajtshme, si shtëpi banimi, banesë dhe dyqan, këto të përbashkëta me bashkëshorten. Si pasuri e luajtshme ka deklaruar dy vetura, në vlerë prej 18 mijë eurosh. Detyrime financiare ka afro 15 mijë euro për çështje të blerjes së pronave, derisa të hyra vjetore për pagën e kryetarit ka 14.378 euro. Rreth 10 mijë euro të bashkëshortes dhe prindit.

Image

Pasuria e paluajtshme e Ardian Gjinit

Kreu i Ferizajt, Agim Aliu, si pasuri të paluajtshme ka deklaruar 375 mijë euro, këto nga tokat, trojet dhe mali. Si pjesë e kursimeve ka 6 mijë euro, derisa në institucione financiare ka rreth 60 mijë euro, të përbashkëta me bashkëshorten. Pagë vjetore si kryetar i Ferizajt ka rreth 15.600 euro, 500 euro mëditje. Bashkëshortja e tij merr 5 mijë euro pagë vjetore dhe prindërit rreth 3 mijë euro pensione.

Kreu i Malishevës nga Nisma Socialdemokrate, Ragip Begaj, ka deklaruar 280 mijë euro pasuri të paluajtshme, si shtëpinë, tokat, mal dhe banesën. Të gjitha këto të deklaruara si pjesë e pasurisë së përbashkët. Pasuri të luajtshme ka deklaruar veturë 5 mijë euro dhe kapital të kompanisë “Bega Comerce”, rreth 80 mijë euro. Në të, sipas deklarimit, nuk ka aksione. Begaj ka thënë se ka rreth 25 mijë euro borxhe, derisa të hyrat e tij vjetore janë rreth 16 mijë euro si kryetar i Malishevës, 1 mijë nga bujqësia.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar 110 mijë euro pasuri të paluajtshme, si kursime dhe trashëgimi. Para në institucionet financiare ka rreth 56 mijë euro, derisa detyrime ka deklaruar rreth 4 mijë euro. Ai ka deklaruar pagë 1.600 euro, si dhe 600 euro nga bashkëshortja e 450 nga fëmijët.

Tutje, kryetari i Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, në deklarimin e pasurisë ka treguar se ka rreth 2 milionë e 327 mijë euro pasuri të paluajtshme, këto trashëgimi, shitblerje dhe punë në organizata të huaja. Në këto pjesëmarrës janë edhe prindërit e tij dhe bashkëshortja. Si pasuri e luajtshme, Haskuka ka deklaruar dy vetura në vlerë 20 mijë euro. Të dyja janë deklaruar në emër të bashkëshortes. Para të gatshme ka rreth 24 mijë euro. Të hyrat vjetore si kryetar i Prizrenit janë 15.556 euro, nga një qira merr 2.400 euro, ndërsa nga 10-përqindëshi i Trustit ka tërhequr 3 mijë euro.

Image

Pasuria e paluajtshme e Mytaher Haskukës

Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që mban postin e kryetarit të Rahovecit, Smajl Latifi, ka deklaruar rreth 163 mijë euro pronë të paluajtshme, prona të trashëguara dhe njëherësh të përbashkëta me bashkëshorten. Si pasuri e luajtshme, Latifi ka veturë në vlerë prej 4.500 eurosh dhe rreth 7 mijë euro para të gatshme. Të hyrat e tij vjetore janë rreth 14 mijë nga kreu i Komunës dhe nga statusi invalidor rreth 2.700 euro.

Haki Rugova, si kryetar i Komunës së Istogut, ka deklaruar rreth 174 mijë euro pasuri të paluajtshme, derisa të luajtshme ka rreth 4 mijë euro. Në institucionet financiare ka grumbulluar 47 mijë euro, ndërsa të hyrat mujore nga posti janë 1.323 euro.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, që nuk është pjesë e ndonjë subjekti politik, Bekim Jashari, ka deklaruar rreth 250 mijë pasuri si posedim i aksioneve. Në institucionet financiare ka të ruajtura rreth 126.267 euro, pasuri të paluajtshme 12 mijë euro (aksionar në një pronë të paluajtshme për qirambajtje për 99 vjet), dy vetura 34 mijë euro të tij dhe të fëmijës. Të hyra vjetore ka rreth 14 mijë e 831 euro. Bashkëshortja e tij të hyra vjetore ka rreth 27 mijë euro.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore nga Lëvizja Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka deklaruar prona të paluajtshme, si toka dhe trashëgimi rreth 7 milionë e 620 mijë euro. Këto i ka të deklaruara si të përbashkëta. Bahtiri ka rreth 9.500 euro para të luajtshme, derisa të hyrat vjetore janë rreth 17 mijë euro, ndërsa të fëmijëve të tij rreth 336 mijë euro, të cilët kanë kompani jashtë vendit.

Image

Pasuria e paluajtshme e Agim Bahtirit

Kreu i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, si pronë e përbashkët të paluajtshme ka deklaruar rreth 265 mijë euro. Pasuri të luajtshme ka rreth 21 mijë e 500 euro, derisa para të gatshme rreth 15.500 euro. Detyrime financiare, Ahmeti ka deklaruar se ka rreth 31.900 euro, derisa të hyrat janë rreth 1.323 euro.

Banesa, troje dhe trashëgimi në vlerë prej 86 mijë eurosh, i ka deklaruar si pasuri të paluajtshme kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha. Berisha nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar 10 mijë euro detyrime financiare, afro 7 mijë euro para të gatshme dhe të hyra vjetore rreth 15 mijë euro.

Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuqi, ka mbi 1 milion euro pasuri të paluajtshme, duke përfshirë tokat, malin dhe shtëpinë, këto të gjitha pasuri e përbashkët. Pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë në vlerë prej 4.500 eurosh, derisa detyrime financiare ka rreth 30 mijë euro. Të hyrat e tij financiare vjetore janë rreth 14.593.

Kreu i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka deklaruar rreth 160 mijë euro pasuri të paluajtshme dhe 5 mijë të luajtshme. Të hyrat e tij janë 1.119 euro derisa në institucionet financiare ka rreth 350 euro.

Aksione në vlerë prej 625.150 eurosh ka deklaruar kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi. Kreu i kësaj komune ka deklaruar 518 mijë euro pasuri të paluajtshme, ndërsa të luajtshme rreth 18 mijë euro. Në bankë i ka të siguruara rreth 32 mijë euro.

I pari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, ka rreth 42 mijë euro pasuri të paluajtshme, si shtëpi dhe tokë. Një veturë e ka deklaruar si pasuri të luajtshme, me vlerë rreth 2.400 euro, derisa të hyrat i ka 1.294 nga paga dhe 300 euro mëditje.

Kryetar i Hanit të Elezit, që nuk është pjesë e asnjë subjekti politik, Rufki Suma, i ka deklaruar rreth 153.670 euro pasuri të paluajtshme. Kjo bazuar në tokat dhe shtëpinë, të deklaruar si shumica e përbashkët. Pasuri të luajtshme Suma ka deklaruar 4.500 euro, derisa në bankë ka vetëm 48 euro. Të hyrat e tij vjetore janë rreth 17.789, ndërsa nga pensioni i Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) merr rreth 2.628 euro.

Tutje, kryetari i Komunës së Klinës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Zenun Elezaj, ka deklaruar rreth 148 mijë euro pasuri të paluajtshme, si shtëpi, toka, banesën dhe garazh. Të siguruara në institucionet financiare ka rreth 14 mijë euro, ndërsa pasuri të luajtshme ka dy vetura, në vlerë prej 14 mijë eurosh.

I pari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar mbi 1 milion e 800 mijë euro pasuri të paluajtshme. Pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë në vlerë prej 17 mijë eurosh. Ai ka detyrime financiare rreth 97 mijë euro, pjesa dërrmuese e tyre për ndërtimin e një objekti, derisa pjesa tjetër në emër të bashkëshortes, kredi për blerje të veturës.

Image

Pasuria e paluajtshme e Gazmend Muhaxherit

Kreu i Shtimes nga Partia Demokratike e Kosovës, Naim Ismaili, ka rreth 533 mijë euro pasuri të paluajtshme, prej tyre toka, troje, shtëpi, banesa dhe një shtëpi vikendi. Pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë të fëmijëve, në vlerë prej 5 mijë eurosh. Aksione ka deklaruar 3 mijë euro, para të gatshme në bankë rreth 9 mijë euro derisa detyrime financiare Ismaili ka rreth 39 mijë euro.

Sokol Halili, kryetar i Komunës së Vitisë, ka rreth 195 mijë euro pasuri të paluajtshme, në emër të prindit, si tokë dhe shtëpi. Pasuri të luajtshme Halili ka deklaruar një veturë në vlerë prej 15 mijë euro, derisa detyrime financiare rreth 10 mijë.

Kreu i Vushtrrisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhafer Tahiri, ka shtëpi dhe troje si pasuri të paluajtshme në vlerë prej 175.560 eurosh. Tahiri në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar veturë në vlerë prej 12 mijë eurove dhe rreth 13 mijë euro para në bankë. Të hyra vjetore ka rreth 22 mijë euro.

Kreu i Zubin-Potokut, Sërgjan Vuloviq, ka deklaruar 440 mijë euro pasuri të paluajtshme, të deklaruara në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve. Pasuri të luajtshme ka rreth 70 mijë euro, derisa ka aksione në një kompani në vlerë prej 300 mijë eurove. Në deklarim ka rreth 172 mijë euro para të ruajtura në banka.

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç, ka rreth 190 mijë euro pasuri të paluajtshme, të deklaruara si të përbashkëta. Pasuri të luajtshme ka rreth 12 mijë euro të një veture. Në institucionet financiare ka të grumbulluara 2.500 euro derisa borxhe ka rreth 6.340 euro.

Kreu i Parteshit, Dragan Petkoviq, ka rreth 39 mijë euro pasuri të paluajtshme, të deklaruara si të përbashkëta. Në institucionin financiar ka rreth 2 mijë euro.

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit nuk janë të shfaqura deklarimet e pasurisë së zyrtarëve komunalë të Suharekës, Drenasit, Novobërdës dhe Kamenicës.