Arbëri

Osmani: Dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar sot raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon – Taubadel. 

Në një njoftim të zyrës së presidencës, thuhet se ‘në takim theks i veçantë është vënë në perspektivën Evropiane të Republikës së Kosovës, mbështetjen e ofruar nga Bashkimi Evropian për vendin tonë ndër vite, si dhe për nevojën për përmbyllje të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin pozitiv të Parlamentit Evropian për sa i përket liberalizimit të vizave, derisa theksoi që ka shumë potencial për të intensifikuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e institucioneve të BE-së karshi Kosovës” është thënë në njoftimin e presidencës.

Më tutje thuhet se Osmani ka theksuar se institucionet e reja në vend janë të gatshme për të udhëhequr reformën, si në fushën e sundimit të ligjit, krijimin e vendeve të reja të punës, investimin në bujqësi dhe avancimin e Agjendës së Gjelbër.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka bërë thirrje për prezencë dhe ndihmë të shtuar nga ana e BE-së për të siguruar mbarëvajtjen dhe qëndrueshmërinë e këtyre proceseve. Në takim u fol edhe për dialogun me Serbinë, me ç‘rast Presidentja Osmani theksoi se ky proces duhet të përmbyllet me njohje nga ana e saj dhe se marrëveshjet e arritura duhet të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve” është thënë në njoftimin e presidencës.