Arbëri

Eksportet dhe importet kapërcejnë nivelet e para krizës me COVID-19

Descriptive Text

Me heqjen e kufizimeve ka filluar edhe ringjallja e ekonomisë. Të dhënat e Tregtisë së Jashtme tregojnë për rritjen e eksporteve dhe importeve gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti. Ekonomistët thonë se trendi i rritjes së tregtisë së jashtme tregon rritjen e aktivitetit ekonomik në vend. Rritja e eksporteve dhe importeve ka dhënë ndikim pozitiv në arkën e shtetit

Tregtia e jashtme e Kosovës është ringjallur këtë fillimvit, duke tejkaluar edhe nivelet e para krizës së COVID-19.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se gjatë pesë muajve të parë të vitit u eksportuan mallra në vlerë afro 772 milionë euro. Kjo paraqet një rritje mbi 57 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur tregtia u paralizua nga pandemia, dhe 89 për qind më shumë sesa në vitin 2019.

Rritje pati edhe në import. U importuan mallra në vlerë prej afro 4 miliardë e 669 milionë euro apo rreth 31.8 për qind më së shumë sesa në vitin 2020, ndërsa krahasuar me 2019, rreth 27.4 për qind më shumë.

Sipas Pëllumb Çollakut, bashkëpunëtor për hulumtime në “Riinvest”, rritja e importeve dhe eksporteve është sinjal për rritjen e aktivitetit ekonomik në Kosovë.

“Rezultat për këtë mund të jetë fillimi i imunizimit në masë nga kontingjentet e fundit të siguruara të vaksinave, që ka rritur edhe pritjet e popullatës për një normalizim të situatës dhe në një rikthim në një normale të re të aktiviteteve ekonomike në vend”, ka thënë Çollaku.

Partnere kryesore e Kosovës në eksport nga vendet e Bashkimit Evropian janë Italia, Gjermania, Austria dhe Holanda. Ndërsa nga vendet e CEFTA-s janë Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi.

Eksportet janë kryesisht me SHBA-në dhe Zvicrën.

Mallrat që futen në Kosovë nga vendet e Bashkimit Evropian janë kryesisht nga Gjermania, Italia, Greqia dhe Sllovenia.

Në tregun kosovar hasen edhe mallra që importohen nga vendet e CEFTA-s. Pjesa dërrmuese e tyre janë nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia.

Në vlerë të madhe gjatë këtyre pesë muajve është importuar edhe nga Turqia dhe nga Kina, që janë dy partneret kryesore të Kosovës në import nga bota.

“Trendi i rritjes së eksporteve pritet edhe në të ardhmen me intensifikimin e aktivitetit ekonomik në Kosovë, që në një kohë pritet që të rritet edhe kërkesa agregate në vend”, ka theksuar Çollaku.

Sa i përket rritjes së importeve, ka theksuar se kjo thellon edhe më tej deficitin dhe sinjalizon një rritje të konsumit të popullatës, që ka gjasa të jetë i shtyrë nga nisja e punës së aktiviteteve ekonomike dhe nga injektimi që ndodhi nga jashtë në formë të remitencave nga bashkatdhetarët.

“Sa i përket rritjeve të eksporteve, zakonisht ato po rriten në eksportimin e metaleve të papërpunuara, gjë që një vend tjetër ku ato eksportohen po i merr vlerën e shtuar. Sa i përket çështjes së importeve, zakonisht ato po bëhen në mallra finale që janë të luksit, si dhe në imputet për prodhim që iu duhen bizneseve kosovare”, ka theksuar ai.

Sipas të dhënave të ASK-së për muajin maj, vlera e deficitit tregtar ishte 53.9 për qind më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në vlerë monetare kjo kap shifrën prej 308.2 milionë eurosh në maj 2021, ndërsa 200.3 milionë në vitin 2020.

Eksporti ka mbuluar importin vetëm me 15.8 për qind. Eksporti i mallrave në muajin maj 2021 kishte vlerën 57.8 milionë euro, ndërsa importi 366.0 milion euro, që është një rritje prej 49.2 për qind për eksport dhe 53.1 për qind për import krahasuar me majin e vitit 2020.

Mallrat që eksportohen nga Kosova për në vendet e tjera janë kryesisht metale bazë, artikuj të ndryshëm të prodhuar, plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, ushqime të përgatitura, pije dhe duhan, produkte minerale, makineri dhe pajisje mekanike e elektrike.

Rritja e eksportit dhe importit ka reflektuar në të hyrat buxhetore. Dogana e Kosovës gjatë periudhës janar-maj ka grumbulluar mbi 512 milionë euro, apo 112 më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Edhe Administrata Tatimore e Kosovës gjatë pesëmujorit ka mbledhur rreth 60 milionë më shumë, apo 250 milionë euro gjithsej.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë është miratuar edhe rishikimi i buxhetit për 2021. Qeveria Kurti ka paraparë rritje të ndjeshme ekonomike deri në fund të 2021. Projeksioni kryesisht mbështetet në treguesit kryesorë ekonomikë të evidentuar gjatë gjashtë muajve.

Indikatorët kanë të bëjnë me performancën më të mirë të të hyrave, me numrin më të madh të bizneseve e me qarkullimin më të madh në kufi.

Për dallim nga Banka Botërore që parasheh rritje ekonomike prej 3.7 për qind, Qeveria Kurti po parasheh që kjo rritje të arrijë deri në 7.9 për qind, që është rritje prej 2.7 për qind më shumë sesa që kishte paraparë edhe Qeveria Hoti.

Buxheti i rishikuar parasheh që të arkëtohen 155 milionë euro përtej planifikimit në fillimvit, si dhe të shpenzohen 62 milionë euro më shumë.

Qeveria ka paraparë që deri në fundvit të hyrat të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro, e të shpenzohen 2 miliardë e 516 milionë euro.

Në arsyetimin e ndryshimeve në buxhet janë listuar dy prioritete kryesore: mposhtja e pandemisë nëpërmjet imunizimit masiv të popullatës, si dhe adresimi i rimëkëmbjes ekonomike, pasi të marrë fund pandemia.