Arbëri

SHSKUK-ja, në emër të urgjencave, dëmton buxhetin me çmime të fryra

Gati njëvjeçar është bërë procesi i furnizimit të SHSKUK-së me produktin Heparin Natrium, antikoagulant i nevojshëm për klinikat e QKUK-së e spitalet publike. Përkundër që SHSKUK-ja kur e ka hapur këtë tender vitin e kaluar pati bërë hulumtim të tregut për këtë bar, që kishte rezultuar me çmim prej 4.20 eurosh, kompania farmaceutike e kishte ofertuar të njëjtin produkt me 12 euro. Tenderi i rregullt ishte anuluar, por të njëjtës kompani, me procedurë emergjente, i ishte dhënë kontrata. Tash një ampulë e kishte paguar 8 euro e gjysmë. Më vonë është hapur tender i rregullt, por sërish për shkaqe të ngjashme është pezulluar. Sërish me tender emergjent për ampulë është paguar gati 6 euro. KOHA ka krahasuar çmimin e kësaj kontrate me atë të vitit 2016. Asokohe një ampulë Heparin Natrium kushtonte vetëm 2.78 euro

Në emër të “respektimit të ligjit”, për gati një vit, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka anuluar disa herë tenderin për furnizim me barin antikoagolant (hollues gjaku) “Heparin Natrium".

Qysh prej vitit të kaluar, SHSKUK-ja nuk ka kontratë të rregullt për këtë produkt. Tenderët e rregullt anulohen për tejkalim të çmimit ose probleme me dokumentacione nga kompanitë që ofertojnë, e në anën tjetër të njëjtat kompani kontraktohen në mënyrë të rregullt për furnizim emergjent, duke i shpërfillur procedurat me arsyetimin që ky bar mungon në spitale.

KOHA ka analizuar të gjitha këto procedura. Ka vërejtur shumë parregullsi, të cilat, përveçse e kanë shtyrë furnizimin e rregullt të spitaleve me këtë bar e i kanë lënë qytetarët pa furnizim, kanë shkaktuar po ashtu edhe humbje financiare.

Në tetorin e vitit të kaluar, në mesin e shumë produkteve të tjera, SHSKUK-ja, nëpërmjet tenderit të rregullt, po kërkonte edhe produktin Heparin Natrium.

Vlera e buxhetit që e kishte planifikuar për këtë lot (si komponentë e tenderit ku secili produkt ka lotin e tij) ishte 42 mijë e 800 euro, e sasia e planifikuar për furnizim ishte 10 mijë njësi, që i bie 4.28 euro për ampulë. Kompania që kishte tenderuar ishte “Liri Med”, një kompani që është një nga furnitorët kryesorë të Ministrisë së Shëndetësisë.

SHSKUK-ja, përveçqë e konsideronte çmimin si të fryrë e jo në përputhje me vlerën e tij në treg, po ashtu kishte dhënë arsyetim që produkti i ofertuar nuk i kishte specifikat e produktit të cilin e kishin kërkuar.

“Për LOT 29, për shkak se tenderët përmbajnë çmime të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit. Autorizimi i Marketingut nuk korrespondon me dozën e produkteve të kërkuara sipas Dosjes së Tenderit dhe Listës Esenciale, sepse është kërkuar Heparin Natrium injeksion: 20 0 IU- ML në ampula 1 ml, ndërsa është ofertuar Heparin Natrium injeksion: 25 000 IU/5 ML.”, thuhej asokohe në një arsyetimin e SHSKUK-së.

Në të njëjtën dokument flitet edhe për tejkalimin e çmimit. Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, autoriteti kontraktues, që në këtë rast është SHSKUK-ja, nuk guxon ta tejkalojë buxhetin e planifikuar, e në rast se një gjë e tillë ndodh, tenderi duhet të anulohet.

Kompania “Liri Med” asokohe pretendonte se oferta e saj me rreth 12 euro ishte çmimi real i tregut.

“Sa i përket arsyes për tejkalim të çmimeve të parashikuara, ju sqarojmë se këto çmime janë çmime të tregut, prandaj edhe nëse përsëritet procedura atëherë çmimet do të jenë përafërsisht të njëjta me çmimet të cilat i kemi ofertuar ne”, thuhej në pretendimin e kompanisë “Liri Med”.

Por, paralelisht me tenderin që ishte duke u zhvilluar, SHSKUK-ja kishte bërë hulumtim të çmimeve të tregut.

Oferta e këtij produkti në këtë tender ishte më e lartë sesa çmimi i të njëjtit produkt në secilin shtet të rajonit. Ky institucion kishte ngarkuar në faqen e Eprokurimit çmimet referente të të njëjtit produkt për secilin shtet.

Në Mal të Zi ky lloj bari kushton 2 euro e 70 centë, në Greqi 4 euro e 35 centë, në Bullgari këtë bar e gjen në treg në vlerë 5 euro e 82 centë, e Serbia e shet me çmimin 3 euro 21 centë.

Por, pak ditë më vonë, bazuar në të dhënat e publikuara në Eprokurim, SHSKUK-ja kishte hapur sërish tender për këtë produkt. Kësaj radhe procedura ishte urgjente, me negocim.

Tenderi ishte hapur më 25 dhjetor të vitit 2020, e ishte përmbyllur më 31 dhjetor të po të njëjtit vit. Kësaj radhe, SHSKUK-ja kishte lidhur kontratë për 14 mijë njësi të këtij produkti. Fituese sërish ishte kompania “Liri Med”, ndërsa vlera tenderit të nënshkruar ishte 119 mijë euro.

Nëse kalkulohet sasia me çmimin e përgjithshëm, atëherë i bie që kësaj radhe “Liri Med” ia ofroi SHSKUK-së të njëjtin produkt për rreth 4 euro më lirë për njësi sesa në tenderin e para disa javësh, por 100 për qind më shtrenjtë sesa vlera e produktit në treg nga hulumtimi i çmimeve që i kishte bërë vetë SHSKUK-ja. Përderisa çmimi në treg ishte 4.28 euro, kësaj radhe SHSKUK-ja një ampulë e bleu për 8.50 euro.

Sërish në vitin 2021, SHSKUK-ja ka hapur tender për të njëjtin produkt.

Në prillin e këtij viti, në faqen e Eprokurimit është kërkuar i njëjti produkt, por në sasi shumë më të madhe. Saktësisht janë kërkuar 272 mijë e 200 njësi ose ampula, ndërsa buxheti i planifikuar ishte rreth 2 milionë euro, apo saktësisht 1 milion e 959 mijë euro.

Përkundër se SHSKUK-ja vetë në tenderin e vitit të kaluar e kishte paraqitur çmimin prej 4.20 eurosh, kësaj radhe në bazë të buxhetit të planifikuar po synonte që të lidhte kontratë deri në çmimin tavan 7.20 euro.

Kësaj radhe ishin dy ofertues: kompania “Liri Med” dhe kompania “Exlusive Corporation”. Përderisa “Liri Med” ofertoi me çmimin identik sa e ka paraparë SHSKUK-ja tavanin maksimal, kompania “Exlusive Coproration” ka ofertuar rreth 300 mijë euro më lirë.

Në vendimin e autoritetit kontraktues, që mban datën 18 maj 2021, SHSKUK-ja e shpalli fituese kompaninë “Liri Med”.

Në letrën që ky institucion ia dërgoi kompanisë “Exlusive”, përmendi arsye për eliminimin e saj.

“Ju nuk keni ofertuar me produkt i cili ka Autorizim për Marketing në Kosovë nga AKPPM-ja sipas Udhëzimit Administrativ 01/2015, siç është kërkuar”, thuhet në këtë dokument.

Autorizim Marketingu është certifikata e cilësisë, e cila merret ne Agjencinë Kosovare të Produkteve Mjekësore, e nëpërmjet së cilës garantohet kualiteti i produktit për përdorim.

Për shkak të procedurave ankimore, ditë më vonë, SHSKUK-ja ka njoftuar se tenderi është pezulluar. Organi Shqyrtues i Prokurimit, që u përgjigjet ankesave në rast se ato hidhen poshtë nga shkalla e parë – që në këtë rast është Zyra e Prokurimit në SHSKUK – është jofunksional që nga marsi. Çdo kompani që dorëzon ankesë në këtë institucion, ani pse jofunksional, automatikisht pezullon vazhdimin e tenderit derisa të plotësohet bordi e të vendoset në mënyrë të rregullt për rastin.

Me arsyetimin që ka mungesë të këtij antikogolanti në klinikat e QKUK-së e spitalet regjionale, SHSKUK-ja sërish ka hapur tender emergjent me procedurë të përshpejtuar.

Më 22 qershor është publikuar njoftimi për tenderin, e një ditë pas njoftimi për nënshkrimin e tenderit.

Kontrata është lidhur pikërisht me kompaninë që SHSKUK-ja në muajin maj e ka konsideruar në tenderin e rregullt si të papërgjegjshme.

Kompania “Exlusive Corporation” e ka fituar këtë kontratë, që peshon gati 200 mijë euro. Në këtë tender emergjent, SHSKUK-ja ka kontraktuar 31 mijë e 740 njësi apo ampula, që i bie rreth 6 euro për ampulë.

KOHA, paraditen e së premtes, ka drejtuar pyetje në SHSKUK për këto veprime kontradiktore, por ata nuk janë përgjigjur.

Nga të dhënat e viteve më parë të SHSKUK-së, që i kishte siguruar gazeta disa vjet më parë, ka dallime të mëdha të çmimit me të cilin asokohe e kontraktonte SHSKUK-ja, në raport me ato çmime që kontrakton sot.

Në një çmimore të vitit 20016 thuhej se QKUK-ja kishte kontratë për këtë produkt me kompaninë “Liri Med”. Kontrata ishte nënshkruar në shkurtin e vitit 2016, por kishte validitet deri në shkurtin e vitit 2018. I njëjti bar i të njëjtës firmës, e me të njëjtën dozë, asokohe blihej nga QKUK-ja me 3 euro e 50 centë.

KOHA po ashtu e posedon çmimoren e kësaj kontrate për periudhën 2014-2016, e asokohe produkti ishte edhe më i lirë. Edhe atëherë fituese ishte e njëjta kompani, por asokohe këtë produkt ia shiste SHSKUK-së me çmim prej 2.78 eurosh.

Ligjërisht, kompanitë farmaceutike do të duhej t’i deklaronin çmimet për secilin bar në Ministrinë e Shëndetësisë.

Historikisht, MSH-ja e SHSKUK-ja janë përfshirë disa herë në abuzime me çmime të barnave.

KOHA, përmes një hulumtimi, pati gjetur se këto institucione kishin kontraktuar barna edhe me çmime rreth 2000 për qind më shumë.