Arbëri

​Papunësia arrin në 44 përqind, BSPK-ja kërkon rritjen e pagës minimale

Shkalla e papunësisë në vend është rritur në mbi 40 përqind. Kjo rritje ka ndodhur edhe si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, ka vlerësuar kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës Avni Ajdini, sipas të cilit rritja e papunësisë dhe skemave sociale ka ndodhur për shkak të pandemisë, me ç’rast humbën vendet e punës 10 përqind e punëtorëve në sektorin privat.

Kryetari i BSPK-së, në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për mos rritjen e pagës minimale nga Qeveria Kurti, për shkarkimin e tij nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP) dhe për pagën që ka marrë mbi 2 mijë euro në AKP.

“Konsideroj që problem social i punëtorëve është mjaft i theksuar dhe papunësia është po ashtu mjaft e theksuar, mbi 34 përqind, por mund të themi që është edhe më tepër mbi 40 përqind, për arsye që gjatë pandemisë punëtorët i kanë humbur vendet e punës. Dhe për fat të keq kjo ka ndikuar në rritje të varfërisë apo social. BSPK është aktive, por me shkresa dhe kërkesa… Nëse ka qenë 34 përqind sot është 44 përqind, pra në pandemi 10 përqind e punëtorëve kanë humbur vendet e punës”, ka theksuar Ajdini.

Për çështjen e pagës minimale, kryetari i BSPK-së, Ajdini, ka thënë se për fat të keq kjo qeveri ende nuk ka realizuar premtimin për ngritjen e kësaj page.

Kreu i BSPK-së po kërkon nga Qeveria Kurti edhe njohjen e stazhit të punës për të gjithë ata që u larguan nga puna gjatë viteve të 90-ta.

“Konsideroj që paga minimale duhet të jetë minimumi 300 euro edhe pse ne kërkojmë 350 euro. E kuptojmë qeverinë që problemet nuk mundet t’i zgjidhë brenda natës, por ne konsiderojmë që paga minimale të jetë 300 euro. Kështu që ende nuk ka filluar edhe ajo pagë e cila është premtuar që do të jetë 250 euro, për fat të keq jemi duke pritur. Po ashtu jemi duke pritur të realizohet një takim me kryeministrin Kurti që t’i diskutojë disa probleme… A jeni takuar ende me Kurtin? Për fat të keq jo, edhe pse kam bërë një kërkesë për një takim për ta bërë një hap të parë për rregullimin e çështjes së punëtorëve apo të fillojmë nga skema pensionale. Unë nuk kërkoj më tepër veçse të njihet përvoja e punës që me mundur punëtorët me arrit atë 15-vjetshin, e cili sot është pengesë për realizimin e pensionit të plotë”, është shprehur Ajdini.

Kreu i BSPK-së në një intervistë për KosovaPress, ka komentuar edhe vendimin e qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e Bordit të AKP-së, ku ai ka qenë drejtor i tij.

Ai ka thënë se nuk ka pasur keqpërdorime nga ai Bord, ndonëse e arsyeton pagën e tij të lartë prej 2 mijë e 200 euro në muaj.

“Unë konsideroj që gjatë mandatit tim nuk ka pasur ndonjë shkelje procedurale juridike apo korruptive… Ne pagat i kemi trashëguar, edhe në të kaluarën kanë qenë asisoj... Përgjegjësinë të cilën bordi e ka pasur, pagat kanë qenë të arsyeshme, sepse për një gabim mund të ketë ndëshkim edhe me burg. Për këtë arsye po themi se ka pasur vlerën në krahasim me përgjegjësitë. Pagën 2 mijë e 200 euro e kam pas si drejtor i Bordit. Mirëpo edhe përgjegjësia ka qenë, një gabim me bërë ndoshta ka mundur me shkuar edhe në burg. Mirëpo, unë e kam trashëguar atë pagë”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai thotë se shkarkimi i Bordit do ta neglizhojë ndarjen e 20 përqindëshit të punëtorëve. Sipas Ajdinit një problem tjetër është se në Gjykatën e Odës së Veçantë janë 21 mijë lëndë që presin të shqyrtohen.

BSPK-ja po ashtu kërkon nga Qeveria edhe nënshkrimin e Kontratës Kolektive, pasi sipas Ajdinit ajo është e gatshme.

Ajdini, i cili ka arritur moshën e pensionimit më 9 shtator të vitit 2019, thotë se nuk ka shkelur asnjë ligj në ushtrimin e detyrës së tij në BSPK dhe AKP.

Ajdini paralajmëron se kongresi i BSPK-së për zgjedhjen e kryetari të ri do të mbahet më 2 tetor.

“Nuk e kam në plan që të rikandidoj, do t’iu lë hapësirë të tjerëve. Unë kam dal që një vit në pension, mirëpo kam qenë mandatar. Kështu që statuti ynë e cek një çështje se jemi sui-generis, papërcaktuar. Por pavarësisht ligjit që e thotë, ne paguhemi me vet kontributet ose mjete vetanake. Kështu që sindikalisti mund të jetë edhe 80-vjeçar, por duhet të jetë i aftë për me i kryer punët. Duhet me pasur edhe një reputacion i cili e Lufton për çështjet e të drejtave të punëtorëve, që është human në shpirt dhe që nuk e shkel Ligjin”, ka deklaruar Ajdini.

Paraardhësi i kryetarit Ajdini ka qenë Haxhi Arifi, i cili po ashtu e ka ushtruar mandatin e tij në pension./Kosovapress