Arbëri

Tri profesionet që po mungojnë në Kosovë, sipas Osmanit

Sektori prodhues në Kosovë përballet me mungesë të profesionistëve në disa fusha të rëndësishme e të cilët aktualisht janë në kërkesë të madhe, ka bërë të ditur Vllaznim Osmani nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Osmani ka thënë në “Express Intervista” të KTV-së se nga mesi i javës së ardhshme në Prizren do të zhvillohet Samiti i Arsimit dhe Aftësimit Profesional, e ku do të diskutohet kjo problematikë dhe do të ofrohen modalitete se si të dilet nga kjo situatë me të cilën përballet sektori privat.

Sipas tij, janë tri profesione në Kosovë që janë në kërkesë më të madhe e të cilat po mungojnë.

“Ne duam të krijojmë një platformë ku të gjithë akterët të ulen dhe të diskutojnë se çka është duke funksionuar e çka jo, cilat janë modalitetet ku të rinjtë tanë të kenë mundësi dhe t’i zgjedhin këto profesione që janë të rëndësishme. Sidomos në sektorin e prodhimit, janë një mori profesionesh që janë në kërkesë të madhe, siç janë: operatorë të makinerive, teknologë ushqimor, profesionistë të mekatronikës e shumë të tjera. Fokus të veçantë do t’i japim aspektit që të rinjtë të shikojnë aftësimin profesional si një mundësi që paguhet mirë në të ardhmen”, ka thënë Osmani.

Sipas tij, të rinjtë duhet të orientohen në shkollim profesional pasi siç ka thënë, me profesione të tilla paguhesh mirë edhe në Kosovë.

Ai ka shtuar se ka raste kur fabrikat në Kosovë duhet të thërrasin profesionistë nga Turqia apo vendet e tjera të BE-së për shkak të mungesës së fuqisë punëtore adekuate në Kosovë.

“Rinia jonë është e shëndoshë por i duhet të drejtohet në drejtime të duhura. Nëse e kryen një shkollë profesionale, jetën e ke goxha të sigurt, sepse do të kesh një punë që paguhet mirë edhe në Kosovë. Në komunën e Gjilanit, për shembull, është vetëm një ose dy inxhinierë të elektrikes që faktikisht merren me pjesë të mekatronikës për të gjitha fabrikat që operojnë në atë rajon. Ka raste kur për një prishje të vogël ne detyrohemi të marrim ekspertë nga Turqia apo vendet e tjera të Bashkimit Evropian”, ka thënë Osmani.

Samiti i Arsimit dhe Aftësimit Profesional i cili organizohet nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës do të mbahet në Prizren nga 29-30 qershor dhe do të ketë edhe karakter rajonal, me pjesëmarrës edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.